PS e Dibrës: Kallëzimi i PD, alibi për humbjen

01/09/2016 00:00

Shtabi elektoral i Partisë Socialiste në Dibër ka reaguar ndaj deklaratave të Partisë Demokratike, që akuzon një sërë personash si të përfshirë në një grup të strukturuar kriminal, sipas saj me qëllim blerjen dhe kanosjen e votuesve dibranë.

“E përfshirë në ethet e humbjes së pritshme në zgjedhjet e pjesshme të 11 Shtatorit për kreun e Bashkisë së Dibrës, Partia Demokratike është angazhuar intensivisht në një skemë për të krijuar alibinë justifikuese të disfatës elektorale”, thuhet në reagimin e socialistëve.

Sipas socialistëve, veç alibisë për humbjen, kallëzimi i opozitës synon edhe të baltosë procesin zgjedhor.

Në reagim thuhet më tej se “shtabi elektoral i kandidatit të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane hedh poshtë me neveri përmbajtjen e këtij kallëzimi penal duke e cilësuar krejtësisht të pavërtetë dhe me synime të paracaktuara politike”.

“Kjo përpjekje e Partisë Demokratike për të baltosur zgjedhjet vjen në një kohë kur deputetët, aleatët dhe ish-zyrtarët e saj kanë zbarkuar në Bashkinë Dibër, në përpjekjen për të intimiduar zgjedhësit dhe tjetërsuar vullnetin e tyre të lirë. Në realitet, ata po fyejnë popullin e Dibrës duke vulosur humbjen e tyre të sigurtë në zgjedhjet e 11 shtatorit”, shtohet më tej në reagim.

Socialistët dibranë jo vetëm që hedhin poshtë pretendimet e Partisë Demokratike, por deklarojnë se e kundërta është e vërtetë.

“Qytetarët e Dibrës, prej dy javësh kanë patur rastin të ndeshen me kërcënimet e ushtruara ndaj tyre në mënyrë të vazhdueshme. Në krye të kërcënimeve është vënë edhe vet kreu i opozitës Lulzim Basha i cili përveç aktivizimit në terren nuk ka ngurruar të kërcënojë punonjësit e administratës publike përmes telefonatave e mesazheve”, thonë ata.

Sipas Partisë Socialiste opozita ka përfshirë në kërcënime ndaj votuesve dibranë kryebashkiakun e Kamzës, Xhelal Mziu.

“Në këtë skemë është përfshirë fuqishëm edhe kryetari në detyrë i Bashkisë së Kamzës Xhelal Mziu, person me precedent penal dhe i njohur për përdorimin e administratës në funksion të fushatave elektorale të Partisë demokratike. Ai është angazhuar intensivisht në Zall Dardhë, Reç dhe Lurë. Ekzistojnë dëshmi të qytetarëve të kërcënuar prej tij me prishjen e shtëpive të familjarëve që jetojnë në Kamzë ashtu sikurse përpjekjet për tu tjetërsuar vullnetin politik”, thonë socialistët.

Në reagimin e shtabit të kandidati Muharem Rama shtohet se të njëjtin angazhim në terren duke ushtruar presion ndaj zgjedhësve.

“Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka, Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani, ish-zv.ministri i Brendshëm Genti Strazimiri, ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi, ish-ministri i Arsimit Myqerem Tafaj dhe Luçiano Boçi. Ish-ministri i Brendshem Flamur Noka po ushtron presion në Maqellarë ndërsa ish-ministri i Ekonomisë Florion Mima në Sllovë. Gjithashtu, ish-ministri i Bujqësisë Jemin Gjana është duke ushtruar presion të drejtpërdrejtë mbi zgjedhësit e njësisë së Kaladë së Dodës dhe ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami në Lurë. Këtij angazhimi kriminal nuk i kanë shpëtuar as figura të tjera problematike në të shkuarën e tyre si ish-drejtori i Përgjithshëm i Doganave Flamur Gjymyshka e ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Xhemal Gjunkshi”, thonë socialistët.

Reagimi shton se pavarësisht gjithë këtij angazhimi, “opozita teksa e sheh çdo ditë se manovrat për tjetërsimin e votës nuk po i funksionojnë dhe kanë dështuar, ka zgjedhur planin B për baltosjen e procesit zgjedhor”.

Në fund të deklaratës, Shtabi i kandidati të Aleancës për Shqipërinë Europiane kërkon prej organit të akuzës që të hetojë sa më parë të gjitha rastet dhe i bën thirrje Partisë Demokratike që “të braktisë skenarin e krijimit të alibisë së humbjes.

Top Channel