Të zhdukurit e luftës, BE: Prishtina e Beogradi të zbardhin fatin e të pagjeturve

29/08/2016 00:00

Me rastin e Ditës ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur këtë të hënë një tryezë, në të cilën është diskutuar për personat e zhdukur gjatë luftës së Kosovës. Thomas Gnocchi, nga zyra e BE-së në Kosovë, tha se është e drejtë humane që të gjithë të dinë për fatin e familjarëve të tyre.

Zyra e BE-së bën thirrje që të shtohen angazhimet rreth kësaj çështjeje.

“Duhet të punohet më shumë për informacionet që do të sjellin zbulimin e fatit të personave të zhdukur. Duhet të punohet që të gjehen personat e zhdukur dhe të sqarohet kjo situatë. BE po mundohet të ofrojë fonde dhe mbështetje për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, por puna duhet të bëhet në Prishtinë dhe Beograd. Ne do t’i monitorojmë qeveritë e të dyja vendeve, të cilat duhet të punojnë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve”, tha Gnocchi.

Bajram Qerkini, nga Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, tha se për 17 vite me radhë kemi të njëjtat dhimbje e pritje. Sipas tij, përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë janë zotuar se do të angazhohen, por fati i të pagjeturve mbetet i njëjtë.

Ai ka kërkuar nga përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe institucionet e vendit që të bëjnë më shumë rreth fatit të personave të zhdukur, duke thënë se familjarët e tyre nuk do të ndalen deri në zbardhjen e fatit të të zhdukurit të fundit.

“Ne familjarët po kërkojmë të mësojmë për fatin e më të dashurve tanë dhe për nxjerrjen para drejtësisë të atyre që kanë marrë pjesë në zhdukjen e tyre”, tha Qerkini. Ai shtoi se familjarët e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë po vrapojnë nga një institucion në tjetrin dhe se rezultatet kanë qenë të pakënaqshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA