Irani planifikon që brenda vitit të ardhshëm të heqë dorë nga interneti ndërkombëtarë dhe të shfrytëzojë një rrjet të brendshëm dhe të shkëputur nga pjesa tjetër e botës.

Ministria e Komunikacionit, Teknologjisë dhe Informacionit njoftoi se është në fazën e fundit të ngritjes së sistemit të brendshëm, i cili thotë se do të ofrojë internet me shpejtësi më të madhe përkundrejt një kostoje shumë herë më të vogël.

Ideja për ngritjen e një sistemi të mbyllur interneti në vend lindi në vitin 2010. Një vit pasi iranianët protestonin kundër presidentit të atyre ditëve, Mahmoud Ahmadinejad dhe rrjetet sociale ishin mjetet e përdorura më fort për tubimet.

Aktualisht në Iran rrjetet sociale kryesore si Twitter, Facebook dhe Instagram janë të bllokuara nga filtrat qeveritarë, por një pjesë e madhe e të rinjve arrijnë që të kenë akses përmes të ashtuquajtura “proxy” dhe “VPN” (Virtual Private Networks).

Sipas organizatave ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut është pikërisht bllokimi total dhe izolimi i qytetarëve synimi i vërtetë i qeverisë iraniane pas sistemit në fjalë.

“Projekti për një internet kombëtar i hap rrugën izolimit të mëtejshëm, mbikëqyrjes dhe kufizimit të informacionit për iranianët. Rrezikon që të izolojë akoma më shumë iranianët nga pjesa tjetër e botës online”, thuhet në një raport të aktivistëve iraniano-britanikë të të drejtave të njeriut.

Vetë Teherani mohon këto akuza dhe thotë se projekti do të garantojë respektim më të madh të sigurisë personale në lundrim.

I gjithë sistemi pritet të jetë në funksion të plotë në 6-mujorin e parë të 2017. Ai do të hyjë në fuqi në disa faza. Faza e parë do të jetë ofrimi i shërbimit për shërbimet qeveritare dhe institucionet e tjera të vendit. Pas kësaj faze nis faza e dytë, e parashikuar rreth shkurtit të 2017, ku do të ngarkohen materialet me shkrim dhe video, ndërsa faza e fundit, që pritet të nisë në muajin mars, listës së shërbimeve dhe institucioneve shtetërore do t’u shtohen edhe kompanitë që operojnë në tregtinë ndërkombëtare dhe më pas gjithë përdoruesve.

Top Channel