Trump kundër emigracionit: Do të ndërtoj mur

28/08/2016 12:20

Donald Trump i është rikthyer temës së emigracionit të paligjshëm me deklaratën se do të krijojë një sistem gjurmimi i cili të ndihmojë autoritetet ta vënë situatën nën kontroll. Ai të cilin miliarderi e përkufizoi si “program hyrje-daljesh” do të verifikojë personat që e vazhdojnë qëndrimin e tyre edhe pas përfundimit të vizës.

Ndonëse prej disa kohësh u duk se ishte lëkundur disi nga ideja e ngritjes së murit me Meksikën, manjati njujorkez iu rikthye zotimeve polemizuese e premtoi t’i ndalohet emigrantëve të paligjshëm përfitimi i ndihmës sociale.

“Do të ndërtoj një mur të madh, do të ketë verifikime në mbarë vendin, do t`iu ndaloj emigrantëve të paligjshëm ndihmën sociale e do të zhvilloj një sistem gjurmimi falë të cilit të zhvendosen të gjithë ata që kapërcejnë afatin e vizës. Gjërat janë shumë të thjeshta: po nuk vumë rregull me skadimin e vizave, atëherë do të kemi një kufi të hapur dhe krime gjithandej. Kjo duhet të marrë fund”, tha Trump.
 
Që nga dita e tij e parë si President do të niste, siç e pohon dhe vetë, deportimin e atyre që nuk kanë dokumente të rregullta qëndrimi në Shtetet e Bashkuara. Trump përmendi vdekjen e kushërirës së yllit të NBA, Dwayne Wade, e cila u vra në Çikago kur plumbat e nisura për një person tjetër e qëlluan në krah dhe në kokë.

“Kushërira e Dwayne Wade, një goxha djalë ai Dwayne, mbeti viktimë e disa të shtënave tragjike në Çikago. Vdiq ndërsa shtynte karrocën e fëmijës së saj. Qëllohet njeriu kështu kot, thjesht duke ecur në rrugë. Është e tmerrshme dhe po bëhet gjithmonë e më keq”, shtoi Trump.

Të shtunën, kandidati republikan në presidencialet e nëntorit shkroi në Twitter se vrasja e 32-vjeçares vërtetonte komentet e tij të fushatës mbi dhunën në komunitetet minoritare dhe e cilësonte një arsye më shumë përse duhet të ketë mbështetjen e votuesve afro-amerikanë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA