Menaxhimi i parkimeve të Vlorës. “Tis Park”: Po punojmë për shtrimin e rrugëve

28/08/2016 00:00

Parkimi në qytetin e Vlorës menaxhohet nga një kompani e cila fitoi koncesionin me vendim të Këshillit Bashkiak në vitin 2005. Administratori i kompanisë shpjegon se është ngritur një sistem modern që sjell përfitime për banorët dhe që aplikohet me sukses në shumë vende të botës.

“Tarifimi është për minutë. Qytetari paguan për aq kohë sa qëndron në vendparkime. Kjo është në sajë të një aplikacioni që gjendet “online”. Këtë aplikacion e kanë shkarkuar mbi 1600 persona nga muaji korrik. Kjo do të thotë që qytetarët e përkrahin”, thotë Bashkim Shalla, administrator i “Tis Park”. 

“Tis Park” investoi mbi 250 mijë euro në qytetin e Vlorës sipas kontratës që ka me Bashkinë e Vlorës, duke u kujdesur për rrugët, vijëzimet, tabelat dhe shpejt do të vendosen edhe semaforët për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve, ndërsa do të instalohet edhe një sistem kamerash.

“Kemi hedhur mbi 5400 metër katrorë asfalt, kemi vijëzuar 90% të qytetit dhe kemi vendosur 750 tabela”, shton administratori i “Tis Park”.

Shalla i ka quajtur sjellje huligane veprimet e disa individëve që kërkojnë pengimin e zbatimit të këtij projekti, individë të cilët janë paditur penalisht.

Top Channel