Tre kompanitë publike të sistemit energjetik pritet të investojnë këtë vit plot 24.5 miliardë lekë ose mbi 200 milionë dollarë. Enti Rregullator i Energjisë miratoi me një vendim të posaçëm planet e investimeve për KESH, OSHEE dhe OST për gjashtëmujorin e dytë të vitit, që rrisin ndjeshëm investimet e sektorit krahasuar me një vit më parë.
Pjesën e luanit e ka Operatori i Shpërndarjes së Energjisë. Bashkë me investimet e kryera në gjashtëmujorin e parë, kompania do të investojë në total për këtë vit 11.5 miliardë lekë. Operatori i Transmetimit do të investojë 7.6 miliardë lekë, ndërsa KESH do të shpenzojë për investime 5.4 miliardë lekë.
Sektori energjetik i vendit u përball me një krizë të thellë financiare për disa vite me radhë. Por, në dy vitet e fundit treguesit e sistemit kanë shënuar përmirësim të ndjeshëm.
Sipas bilanceve të dorëzuara në QKR, në gjashtë muajt e parë të vitit tre kompanitë publike të energjisë realizuan një fitim prej 6.5 miliardë lekë. Rezultatet më pozitive i ka OSHE, fitimi i së cilës për këtë periudhë arriti 4.7 miliardë lekë. Edhe në gjashtëmujorin e parë kompania raportoi sërish përmirësim të treguesve. Sipas të dhënave zyrtare, uljet vazhduan të bien duke zbritur në 28.5%, ndërsa arkëtimet shënuan rritje.
Përmirësimi i treguesve të OSHE ka ndikuar pozitivisht të gjithë sistemin duke bërë që edhe dy kompanitë e tjera, KESH dhe OST të dalin me fitim.
Sipas planit të përbashkët me Bankën Botërore qeveria parashikon që deri në vitin 2019 sistemi energjetik të financohet plotësisht me burimet e veta, pa nevojën e fondeve nga buxheti.
Top Channel