Instituti i Statistikave në Greqi nuk i ka manipuluar të dhënat e borxhit publik në periudhen 2010-2015, e pohuar kjo nga Komisionerja Europiane e Punësimit, Marianne Thyssen, e cila i ka dërguar Athines një letër ku i kërkon të hedhë poshtë çdolloj pretendimi të kësaj natyre.

Letrën, komisionerja që ka nën kontrollin e saj zyrën e statistikave të BE-së, Eurostat, e ka përpiluar bashkë me komisionerët e Ekomonisë së Bllokut, Valdis Dombrovskis dhe Pierre Moscovici.

“Nga këndvështrimi i Komisionit Europian dhe si komisionere përgjegjëse edhe për Eurostatin, mund të them se është e një rëndësie kyçe për vendimmarrjen tonë politike që të dhënat statistikore të jenë dhe të mbeten të qëndrueshme. Është absolutisht e qartë se borxhi qeveritar grek gjatë viteve 2010-2015 i është raportuar Eurostatit me saktësi të plotë, ndryshe nga sa ka ndodhur përpara periudhës në fjalë”, thuhet në letrën e komisioneres Thyssen.
 
Komisionerja këmbënguli në mënyrë të veçantë që Greqia të mos i pranojë ato që Brukseli i konsideron akuza të rreme ndaj Elstat-it, zyrës greke të statistikave, sipas të cilave kjo e fundit ka manipuluar të dhënat për të ndihmuar kreditorët e huaj. Zyrtarja paralajmëroi se mosmarrëveshjet përbëjnë një rrezik për programin e dorëzanisë.

“Presim që autoritetet greke ta sfidojnë publikisht dhe me forcë përshtypjen e gabuar të manipulimit të të dhënave e ta mbrojnë Elstat dhe stafin e tij nga pretendime të tilla të pabazuara”, shprehet Thyssen.
 
Edhe pse disa ministra grekë e kanë kritikuar hapur kreun e agjencisë së statistikave në Greqi, Andreas Georgiou, ekzekutivi bëri të çuditurin nga apeli i Komisionit Europian për të dalë me një qëndrim mbi këtë çështje dhe këmbënguli se e respekton pavarësinë e Elstat-it.

Top Channel