Burkini ‘ndez’ debatet në Francë

25/08/2016 00:00

Kana ishte e para bashki në Francë që mori vendimin për të ndaluar burkinit në plazhet e veta dhe me shpejtësi nën shembullin e saj, edhe 25 bashki të tjera, kryesisht bregdetare, miratuan të njëjtën gjë.

Por lëvizja ka patur edhe kundërshtarë, që tashmë do t’i drejtohen gjykatës për të shfyqizuar këto vendime. Sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe organizatave anti-islamofobe në Francë, këto vendime bien ndesh me ligjet vendase.

Por deri në fjalën e gjykatës për ligjshmërinë e këtyre vendimeve, sondazhet tregojnë që një shumicë prej 64 përqind e francezëve mbështesin ndalimin e burkinit në plazhe.

Kryebashkiakët që kanë vënë në fuqi këtë ndalim, thonë se po mbrojnë rregullin publik dhe laicitetin e shtetit, ndërsa myslimanët ankohen se po shënjestrohen me pa të drejtë.

Por ndalimi duket se po përçan edhe vetë qeverinë. Manuel Valls u përfshi për herë të parë në debat të enjten dhe doli hapur në mbështetje të kryebashkiakëve që kanë marrë një vendim të tillë, ndërsa ministrja e Edukimit, Najat Vallaud-Belkacem ka një qëndrim të kundërt me shefin e vet.

“Si grua nuk aprovoj burkinit, por nuk mirëpres këto rregulla dhe kundërshtoj idenë se ato që vishen kështu në plazhe kanë lidhje me terrorizmin, grupe xhihadiste apo ISIS-in”, tha ajo.

Debatet janë shtuar pas pamjeve të bëra publike nëpër media, ku shfaqen policë bashkiakë që u kërkojnë grave të veshura me burkini që të ndërrohen ose të largohen nga plazhi.

Top Channel