Në media u fol gjerësisht, por zyrtare është bërë vetëm tani: përmes zëdhënësit Mark Toner, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se ka marrë nga Ankaraja një kërkesë për ekstradimin e klerikut Fetullah Gylen, vetëm se jo për çështje të lidhura me puçin e dështuar ushtarak, për të cilin e fajëson ish-miku i tij, sot armik i përbetuar, Rexhep Taip Erdoan.
“Mund ta konfirmojmë tashmë se Turqia ka kërkuar zyrtarisht ekstradimin e Gylenit”, tha Toner gjatë një konference për shtyp. Deri vonë, zyrtarët amerikanë ishin mjaftuar me pohimet se e kishin marrë në shqyrtim dokumentacionin e dërguar prej Ankarasë, por nuk e pohonin dot me siguri nëse ai përbënte një kërkesë të mirëfilltë ekstradimi. Në Turqi ndërkohë ka mbërritur zëvendëspresidenti amerikan Xho Bajden, zyrtari më i lartë perëndimor që viziton vendin pas tentativës për grusht shteti në 15 korrik.
Kur Barak Obama e zgjodhi Turqinë në vitin 2009 si shtetin e parë mysliman që do të vizitonte në cilësinë e Presidentit, lëvdatat nuk kishin të sosur. Parlamentit turk i tha se rrugëtimi ishte në fakt një deklaratë për rëndësinë e vendit si për Shtetet e Bashkuara, ashtu dhe për të gjithë botën. “Obama fitoi zemrat tona”, do të shkruante asokohe një e përditshme turke. Njeriut që është aktualisht president e që atëherë shërbente si kryeministër, Obama ia bëri të qartë qëndrimin e tij: Turqia dhe Amerika do të ecin krah për krahu drejt një të ardhmeje të ndritur.
Sot, shtatë vjet më vonë, të tilla pohime tingëllojnë pavend. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë ftohur shumë e nga sa tregojnë sondazhet, një pjesë e mirë e turqve të prirur përgjithësisht drejt teorive të konspiracionit, besojnë se Uashingtoni është përfshirë në përpjekjen për grusht shteti.
Top Channel