Policia: I njohim të sëmurët, por nuk ndërhyjmë dot

18/08/2016 00:00

Çdo komisariat në vend ka të evidentuar të sëmurët me probleme mendore por policia është e kufizuar në veprimet e saj.

Sipas ekspertëve, policia përballet vetëm me pasojat e këtyre personave ndërsa apelojnë që institucionet përkatëse shëndetësore të shmangin burokracitë për trajtimin e tyre.

“Kompetencat dhe përgjegjësitë e policisë janë të kufizuara. Policia nuk është primare, ajo përballet me pasojat që shkaktojnë këta persona. Por institucionet e shëndetit që duhet t’i mbajnë të izoluar sipas rastit këta individë dhe të shmangin burokracitë për t’i trajtuar janë prioritaret që duhet të merren me raste të tilla”, thotë Agim Basha, ekspert në Akademinë e Policisë.

Policia i vjen në ndihmë çdo telefonate nga familjarët e këtyre personave, sidomos atyre që shfaqin agresivitet të theksuar.

“Policia në rastet kur këta individë shfaqin probleme ka të drejtë t’i shoqërojë, maksimumi t’i izolojë për 10 orë në komisariatet e policisë dhe më pas duhet të merren strukturat e specializuara. Ka raste kur policia gjendet edhe kur familjarët refuzojnë që individi të marrë mjekimin. Mendoni se sa impenjim është për policinë të përfshihet edhe në situata të tilla”, nënvizon Basha.

Sipas ekspertit Agim Basha, policia ka parandaluar shumë ngjarje të rënda ku autorë kanë qenë personat me probleme mendore.

Basha pak kohë më parë ka mbajtur detyrën e shefit të komisariatit të Vlorës ku vetëm në këtë qark ishin kontatuar rreth 1600 persona të kësaj kategorie.

Top Channel