Kartela e vrasësit: Nga spitali e nxorri i ati

18/08/2016 00:00

Kartela mjekësore e vrasësit të Palasës ndodhet tani në duart e policisë dhe prokurorisë si pjesë e hetimit të masakrimit të një 12-vjeçari. Në këtë kartelë të siguruar nga Top Channel thuhet se Jorgo Petro Zani, ishte shtruar në spitalin psikiatrik të Vlorës më 27 tetor të vitit 2015, pas ankesave të banorëve të zonës lidhur me sjellet agresive dhe të dhunshme të tij.

“Ka qenë shqetësues në komunitet me sjelljen e tij. Konfliktohej edhe me fëmijët e lagjes, therte qentë dhe kafshët e punës për t’u ushqyer me mëlçinë e tyre”, thuhet në kartelë.

Psikiatrët dhe psikologët kishin bërë edhe analizën e gjendjes së tij problematike, me çrregullime të theksuara mendore, ndërsa njihej se kishte qenë edhe përdorues droge.

“ Pacienti paraqitet disi i rrëmbyer, me sjellje të çorganizuar. Gjatë bisedës klinike me të, shprehet me mendime alogjike. Gjithashtu referoi për praninë e çrregullimeve të perceptimit në formën e halucinacioneve auditive”, vlerësojnë mjekët.

Diagnoza përfundimtare, sipas mjekëve ishte “çrregullime personaliteti si pasojë e përdorimit të lëndëve narkotike”. Por vetëm 10 ditë pasi ishte shtruar në spital, më 5 nëntor, Jorgos Petro Zani është nxjerrë nga spitali dhe sipas kartelës kjo është bërë me kërkesë të të atit.

“E marr në përgjegjesinë time”, thuhet në sektorin ku ka firmosur i ati i autorit të vrasjes makabre.
 
Ndërsa është marrë edhe mendimi i vetë të sëmurit mendor nëse donte të linte spitalin. Po a mund të mbahej në spital i sëmuri?

“Detyra jonë është që të japim mjekimin derisa të vendos konsulta që pacienti është në rregull. Të gjithë pacientët kanë të drejtat njësoj, si dhe ne që jemi normal. Nëse pacienti thotë do dal, je i detyruar ta lësh të dalë, nëse firmos familjari, je i detyruar ta lësh”, sqaron drejtori i spitalit, Kujtim Kujtim Llapi, që shton se kjo procedurë ndiqet edhe kur i sëmuri ka probleme, por me rekomandimet e nevojshme që të vazhdojë mjekimin.

Epikriza e daljes në kartele flet se Jorgo Zani është përmirësuar, por për të rekomandohej të vazhdonte mjekimi ambulator në shtëpi, mjekim për të cilin askush nuk e di me saktësi nëse është bërë apo jo.

FOTO GALERI
2/23

Top Channel