Ku shkoi fasada? Zhduket tribuna e “Qemal Stafës”; reagon Rama

12/08/2016 00:00

Nga fasada, e cila deri pak kohë më parë ishte pjesa ballore e stadiumit “Qemal Stafa”, sot nuk ka mbetur thuajse asnjë gjurmë. Së shpejti kryeqyteti do të ketë një stadium të ri me standarde bashkëkohore, sipas projektit të prezantuar nga qeveria.

Sipas këtij projekti, të miratuar nga KKRT, nuk do të prisheshin elementët e stadiumit, të shpallur monument kulture të kategorisë së parë.

“Fasada jo vetëm do të ruhet por do të jetë dhe pamja ballore e stadiumit, që do të shërbejë si hyrje, siç ka shërbyer për gjithë këto vite”, deklaroi asokohe ministrja e Kulturës, Mierla Kumbaro.

Por ku ka shkuar fasada e stadiumit?

Kryeministri Rama, në një status në profilin e tij në rrjetet sociale sqaron se fasada monument kulture po trajtohet me te gjitha standardet profesionale dhe se elementët e gurtë po inventarizohen dhe do të rivendosen në vendin e tyre ashtu siç janë, pas restaurimit.

Provë për këtë janë fotot që kryeministri i nxori pasditen e së premtes në Facebook. Edhe Instituti i Monumenteve të Kulturës ka sqaruar ndërkohë se nuk ka asnjë ndryshim të projektit. Në fakt, ndryshim do të ketë.

Rama në Facebook i quan dy “basorelievet” që mbizotëronin fasadën si “pa vlerë dhe gjurmë të realizmit socialist”, duke lënë të nënkuptohet se nuk do të jenë pjesë e fasadës së stadiumit të ri kur gjithçka të ketë përfunduar.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel