Me temën “Turizëm për të gjithë” portali qeveritar “e-Albania” organizon për të dytin vit konkursin në kuadër të Ditës Kombëtare të Turizmit. 

“Duke qenë se Shqipëria ka potenciale turistike të shumta, menduam që në kuadër të Ditës Botërore të Turizmit  të zhvillojmë për të dytin vit radhazi këtë konkurs”, shprehet Romina Kostani, specialiste në portalin qeveritar “e-Albania”.

Në konkurs mund të marrë pjesë kushdo që ka dëshirë të shpërndajë foton apo videon e tij nga pushimet në det, mal apo kudo tjetër ku po pushon. Mjafton një regjistrim në portal, nga ku duhet të bëhet edhe ngarkimi i materialit.

Për këtë konkurs do të ketë edhe fitues, të cilët do të përzgjidhen nga vetë përdoruesit e portalit përmes votimeve, ndërsa më të mirët do të shpërblehen edhe me çmime që do të jenë destinacione turistike, nga ku do të mund të realizojnë të tjera foto e video turistike.

“Për fituesin e çmimit të parë do të ofrohet një fundjavë rafting në kanionet e Vjosës dhe qytetit të mrekullueshëm të Beratit dhe për fituesit e vendit të dytë dhe të tretë do të ofrohet një fundjavë në Theth e Valbonë”, thotë Blerina Ago e “Albania Rafting Group”.

Fituesit do të shpallen me 27 shtator, në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, ndërsa informacionet e detajuara rreth konkursit gjenden në portalin “e-Albania”.

Top Channel