E kanë cilësuar si loja që po çmend botën, por Pokemon Go nuk ofron vetëm argëtim, ose në rastin më të keq gjoba për kundravajtje apo edhe hyrje në pronën private vetëm për të kapur krijesën virtuale.

Së fundmi, ekspertët e shëndetësisë thonë se loja  ndihmon fëmijët me autizëm dhe me sindromën Asperger për të zhvilluar aftësitë e tyre duke u përmirësuar jetën sociale dhe vendimarrjen.

Ian është një 12-vjeçar me sindromën Asperger dhe për të mungon motivimi për të dalë jashtë dyerve të shtëpisë. Por tani, kur bëhet fjala për të kapur një Pokemon, Ian merr nismën për të dalë jashtë dhe komunikuar me bashkëmoshatarët e tij.

Por Ian nuk është i vetmi i cili dëshmon përmirësimin nga Pokemon Go. Austin, një 16-vjeçar nga Pensilvania, është i gatshëm të marrë në dorë telefonin dhe të dalë të kërkojë krijesën virtuale të Pokemonit sipas orientimit. 

Ekspertët thonë se “Pokemon GO” rrit aftësitë e fëmijëve me autizëm për të krijuar pavarësinë, si edhe për të marrë guximin të dalin vetëm nga shtëpitë e tyre.  Ali Perryman, psikiatre në profesion, thotë se fëmijët me autizëm janë më tepër të prirur për të ndjekur aktivitetet elektronike sesa ushtrimet tradicionale me lapsa , ngjyra dhe letra. 

E njëjta gjë mund të thuhet për fëmijët me sindromën Asperger. Edhe pse ata posedojnë një nivel mesatar inteligjence, u duhet të luftojnë me komunikimin. Prindërit e këtyre fëmijëve pohojnë se “Pokemon GO” ka ndihmuar fëmijët e tyre të rrisin interaktivitetin me shokët.

Top Channel