Viktimat e përmbytjeve, vazhdojnë operacionet e kërkimit në Maqedoni

09/08/2016 00:00

Një 11-vjeçar është viktima e radhës në Maqedoni pas përmbytjeve që i shkaktuan jetën 22 personave. Ndërkohë që vijojnë kërkimet për personat e tjerë që konsiderohen të zhdukur.

Po ashtu, nga procesi i verifikimit të dëmeve materiale kanë ardhur vlerësimet e para. Rreth 5 mijë familje janë dëmtuar, por, sipas autoriteteve kompetente ata do të dëmshpërblehen në kohë. Gjendja e emergjencës është shpallur në 15 ditët e ardhshme në vend. Në lagjet e përmbytura mungon energjia elektrike, po ashtu në zonat e prekura ka probleme të mëdha me kanalizimet.

Ndërkohë, alarmi i mëparshëm se uji nuk është i pijshëm u hodh poshtë nga qendra për kontroll sanitar, duke thënë se uji nuk është i ndotur. Eskavatorët dhe kamionët vijojnë të qëndrojnë në zonë për të pastruar rrëshqitjen e dheut. Edhe pse reshjet janë pakësuar dhe niveli i ujërave po bie, paralajmërimi i metereologëve për më shumë shira, ka bërë që vigjilenca të jetë maksimale, për të shmangur viktima të tjera në njerëz. 

Katastrofa natyrore ka sjellë trishtim në mbarë vendin, por edhe në komunitetin ndërkombëtar i cili ka shprehur keqardhje dhe i ka ofruar ndihmë Maqedonisë. Mbi 1 mijë persona janë evakuuar nga veriu i Shkupit.

Top Channel