Tirana turistike, një destinacion që po “ngop” kureshtjen e të huajve

07/08/2016 00:00

Në këto ditë të nxehta gushti, kur Tirana boshatiset nga qytetarët e saj, vendin e tyre duket se e kanë zënë turistët. Vendet nga të cilat vijnë janë të ndryshme, madje kohët e fundit harta është zgjeruar edhe me shtete si Brazili, Zelanda e Re apo vendet aziatike.

Megjithatë, bazën e përbën trekëndëshi “polakë, çekë, sllovakë”, por nuk mbeten pas as italianët apo francezët. Të organizuar në grupe, ata i gjejmë te “Kulla e Sahatit” apo “Xhamia e Ethem Beut”.

“Është shumë e bukur Tirana, është hera e parë që vij këtu dhe do të rikthehemi patjetër”, tha Anna Maria Palmieri, turiste.

“Njerëzit janë shumë të mirë, po ngjis shkallët që të shoh pamjen e qytetit nga kulla”, tha Maurizio Pereti, turist.

“Do të vizitojmë bulevardin qëndror, shtëpinë e Enver Hoxhës, Presidencën. Erdhëm në Shqipëri, sepse në Poloni ky është një vend i panjohur. Doja të përballesha vet më stereotipet dhe reputacionin jo të mirë të Shqipërisë jashtë vendit, por mbetem e surprizuar pozitivisht”, tha Teresa Silorska, turiste.

Konrad Owca nga Polonia punon si guidë turistike prej 8 vitesh dhe vlerëson potencialit turistik të Shqipërisë, por thotë se vendi ka ende gjëra për të mësuar.

“Për shembull, sa i përket organizimit, bashkëpunimit mes pushtetit lokal dhe agjencive turistike”, tha Konrad Owca, guidë turistike.

Bashkia e Tiranës thotë se asetet turistike janë një pikë e fortë e kryeqytetit dhe se po punohet për t’i promovuar fort ato.

“Kemi urën e Tabakëve, Kalanë e Tiranës që është pjesë e kujtesës historike të kryeqytetit. Mozaikun e periudhës romake, evidencë më e vjetër. Pazari i ri, që po restaurohet. Ka grupe që vizitojnë këtë kullë, që nuk i punonte sahati dhe ishte e mbyllur. Duam t’i promovojmë këto asete. Kemi filluar të krijojmë një itinerar kulturor, të lidhim të gjitha kalatë duke nisur nga sinjalistika, sepse nuk kishte asnjë lloj harte apo tabele, për të kuptuar se çfarë janë këto asete”, tha Mirela Koçollari.

Top Channel