“Rio 2016”; Surprizon peshëngritësja Evagjeli Veli, por pa medalje

07/08/2016 00:00

Evagjelia Veli ishte sportistja e parë shqiptare e cila debutoi në Lojërat olimpike të Rios, peshëngritësja që edhe pse fitoi të drejtën e garës me një ftesë në ditët e fundit, bëri një paraqitje të mirë, por pa mundur të marrë medalje.

Veli garoi në baterinë B në peshën deri në 53 kilogramë dhe ngriti me sukses në provën e parë në shkëputje 68 kilogramë, ndërsa më pas e përmirësoi bilancin në 72 dhe 75 kilogramë.

Ndërkohë në shtytje, Evagjelia Veli u shfaq më e vendosur në pedanë duke ngritur fillimisht 88 kilogramë e më pas 90 kilogramë, por dështoi në tentativën për 96 kilogramë që do ta bënte thuajse të pakapshme nga rivalet në baterinë B.

Veli e mbylli garën e saj olimpike me 165kg në dygarësh por në Olimpiadë nuk jepen medalje për secilin stil, por vetëm për dygarëshin. Për të mësuar renditjen përfundimtare të shtangistes kuqezi në peshën 53kg, duhej pritur edhe Bateria A.

Pikërisht këtu Evagjeli Veli u parakalua nga peshëngritës dhe më të fortë duke mbetur jashtë zonës së medaljeve.

I dyti shqiptar që do të provojë emocionet e olimpiadës do të jetë peshëngritësi Briken Çalja, i cili garon më 10 gusht.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta