“SportZone”, hapësira më e re në kryeqytet

06/08/2016 00:00

“SportZone” është hapësira më e re sportive në kryeqytet, një hapësirë që do të promovojë sportin masiv në sheshin “Nënë Tereza”, me në fokus aktivitetet për të gjithë familjen. Në hapjen e “SportZone”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se tashmë qytetarët mund të argëtohen me aktivitete të ndryshme, të cilat synojnë të përfshijnë kryesisht fëmijët dhe të rinjtë.

“E kemi shndërruar hapësirën te sheshi “Nënë Tereza” nga një “FanZone”, pra një zonë tifozerie ku shihnim futboll, në një “SportZone”, ku të gjithë qytetarët e Tiranës ftohen të merren me aktivitete sportive”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se kjo është një mënyrë se si Bashkia e Tiranës, në pamundësi për të sjellë detin në qytet, organizon aktivitete në rërë, të cilat i shohim vetëm nëpër plazhe. “Për ata që ndoshta i kanë mbaruar pushimet apo s’kanë pasur kohë të shkëputen për pushime, ose për ata që po kthehen nga deti dhe duan që pushimet të zgjasin edhe pak, kjo është hapësira më fantastike e qytetit, që do të na bëjë bashkë gjatë javëve të fundit të verës, por sigurisht edhe në fillim të vitit shkollor e deri në vjeshtë”, tha Veliaj.

Një hapësirë në zonën sportive do t’i dedikohet edhe panairit të luleve dhe akulloreve në këto ditë të nxehta vere: “Sjellim verën dhe rërën për ata që nuk kanë mundësi të shkojnë me pushime”.

Ballkaniada e Volejbollit pritet të mbahet pikërisht në këtë hapësire të re sportive: “Më vjen mirë që kjo shkon me filozofinë e Bashkisë së Tiranës, për të kthyer sa më shumë hapësira në zona pedonale. Sot është shumë e vështirë që të gjesh dikë që ankohet pse sheshi “Nënë Tereza” iu është kthyer këmbësorëve sepse më parë nuk ka pasur ndonjë dobi, qoftë edhe për makinat që i vinin rrotull”, u shpreh Veliaj.

Kthimi i sheshit “Nënë Tereza” në një hapësirë sportive përkon me të njëjtën përudhë të nisjes së punimeve për transformimin e një tjetër sheshi të rëndësishëm të Tiranës.

Bashkia e Tiranes ka përcaktuar edhe kalendarin e aktiviteteve për këtë hapësirë sportive, ndërsa të rinjtë mund të bashkohen dhe të jenë pjesë e tyre, pa pagesë.

Top Channel