
Pas seancave me dyer të mbyllura dhe që zgjatën disa orë, Gjykata për Krime të Rënda refuzoi kërkesën e avokateve mbrojtës të të arrestuarve për grabitjen e famshme në Aeroportin e Rinasit.
Avokatët e të pandehurve kërkuan lirimin e menjërshëm të tyre nën pretendimin se pesë ish-punonjësit e dyshuar për shpërdorim detyre mbahen pa masë sigurimi në arrest. Avokatët e humbën përballjen me Shkallën e Parë, ndërkohë që tashmë deklarojnë se e njëjta gjë do të depozitohet edhe në Gjykatën e Lartë.
Avokati Vladimir Meçe u bëri apel autoriteteve që të monitorojnë procesin, pasi sipas tij, gjykatat po luajnë ping-pong duke ja lënë stafetën njëra-tjetrës për lirimin e të dyshuarve.
“E gjithë energjia është përqendruar në këtë ‘xhonglerizëm’. U bëjmë apel si avokate organizmave që mbrojnë të drejtat e njeriut, ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit, Komitetit Shqiptar të Helsinkit që të monitorojnë këtë dosje pasi ata po mbahen haptazi në mënyrë të kundërligjshme në burg. Pse në mënyrë të kundërligjshme? Sepse ndaj tyre nuk ka masë sigurimi përsa kohë edhe vendimi i Krujës është prishur”, tha Meçe.
Dosja e Rinasit hyri në labirint pak ditë më parë kur Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda deklaroi prishjen e vendimit të Shkallës së Parë, që kishte dhënë masën arrest me burg, si dhe refuzoi kërkesën e Prokurorisë për t’i lënë ata në burg.
Gjykata nuk e ka zbardhur ende vendimin, çka ka sjellë njëkohësisht edhe rekurs në Gjykatën e Lartë pasi avokatët pretendojnë se kanë rënë masat e sigurisë.
Top Channel