Aksidenti në Mat, 3 të plagosur dhe 5 të lënduar lehtë

05/08/2016 00:00

Tre të plagosur dhe 5 të lënduar lehtë është bilanci i një aksidenti të ndodhur mesditën e së premtes 4 kilometra nga qyteti i Burrelit.

Një autobus i linjës Burrel-Tiranë është përplasur me anën e sipërme të rrugës në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Karicës”. Për pasojë, 3 nga pasagjeret e ndodhura përpara kanë pësuar dëmtime të rënda, teksa njëra prej tyre është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë me helikopter.

Menjëherë në vendngjarje ka shkuar policia lokale e rrethit të Matit, ku dhe ka bërë të mundur transportimin e të plagosurve me ambulanca drejt Spitalit të Burrelit, për të marrë ndihmën e parë.

Ndërkohë, Policia e Matit ka nisur hetimet për shkaqet e këtij aksidenti, që paraprakisht mendohet të ketë ndodhur si pasojë e një defekti teknik. Burime nga vendi i ngjarjes thanë se drejtuesi i mjetit ka tentuar të frenojë rreth 100 metra më parë, por nuk ka funksionuar sistemi i frenimit.

Po ashtu, manovrimi i duhur i drejtuesit të mjetit ka parandaluar një tragjedi, pasi mjeti, nëse do të kishte rënë në anën e poshtme të rrugës, do të kishte përfunduar 100 metra në humnerë.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel