Aksident në aeroportin e New York-ut, avioni me pasagjerë përplaset me automjetin tokësor në pistë, ndërpriten fluturimet Ushtria ruse beson se rebelët sirianë përdorën substanca toksike në Alepo, diçka për të cilën Moska ka informuar edhe SHBA-në. Sipas mediave siriane, gazi toksik ishte brenda predhave që rebelët përdorën kundër ushtrisë qeveritare dhe zonave që ajo kontrollon në qytetin e ndarë.
Agjensia e lajmeve ruse Interfax tha se 7 njerëz humbën jetën dhe 20 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmit me armë kimike të martën. Ende nuk ka një konfirmim të pavarur të akuzave ruse, të cilat u bënë pas raporteve mediatike se në provicën Idlib u përdor gaz klorinë në luftime pasi u rrëzua një helikopter ushtarak rus.
Beteja për Alepon vazhdon e ashpër që prej fundjavës, ndërsa rebelët përpiqen që të çajnë rrethimin e ushtrisë. Pritet që kjo betejë të jetë vendimtare për të ardhmen e qytetit që dikur ishte një qendër tregtie dhe tani është shndërruar në rrënoja pas 5 viteve lufte civile.
Rreth 300 000 civilë kanë mbetur të bllokuar në qytet dhe pavarësisht hapjes së korridoreve të evakuimit nga rusët, shumë pak njerëz i kanë përdorur ato. Raportet e fundit që vijnë nga terreni thonë se ushtria siriane, e mbështetur nga avionët rusë, ka përparuar ndaj rebelëve. Sipas ekspertëve, është mëse e qartë se rebelët nuk mund të mposhtin ushtrinë siriane, sidomos me mbështetjen ruse që kjo e fundit ka. Forcat e opozitës po tentojnë të rezistojnë sa më shumë në përpjekje që të arrijnë një marrëveshje duke shpresuar në ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar, që prej kohësh paralajmëron për katastrofën njerëzore në Alepo, por që në terren nuk ka bërë asgjë.
Megjithatë, hapja e korridoreve të evakuimit nga Rusia ishte një mesazh i qartë për rebelët që të largoheshin duke dorëzuar qytetin dhe duke shpëtuar kokën. Ndërsa edhe alternativa që ata duken se kanë zgjedhur është po aq e qartë.
Top Channel