Rritja ekonomike, Sejko: Ecuria më e mirë nga pritshmëritë

03/08/2016 00:00

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi se ekonomia ka shënuar në gjysmën e parë të vitit një ecuri më të mirë nga pritshmëritë fillestare.

“Rritja ekonomike në tremujorin e parë ka rezultuar në kahun e sipërm të pritshmërive tona. Treguesit e tërthortë sugjerojnë se ritmet e rritjes ekonomike kanë qenë në nivele të përafërta edhe në tremujorin e dytë të vitit”, thotë Gent Sejko.

Guvernatori tha se zgjerimi i prodhimit kombëtar është mbështetur nga rritja e konsumit dhe investimeve private.
 
“Rritja e tyre pasqyron përmirësimin e bilanceve financiare të bizneseve dhe familjeve, zhvillimet pozitive në tregun e punës, zbutjen e pasigurisë dhe zhbllokimin e tregut të ndërtimit”, u shpreh ai.

Për shkak të këtyre zhvillimeve, Guvernatori tha se Këshilli Mbikëqyrës e ka ndryshuar vlerësimin për rritjen ekonomike.  

“Ne kemi rishikuar lehtësisht për lartë shifrën e rritjes ekonomike për këtë vit”, u shpreh Sejko.

Por, sipas Guvernatorit, rimëkëmbja e ekonomisë do të varet nga gjallërimi i aktivitetit kreditues.

“Ecuria e kredisë shfaqi tendenca përmirësimi në tremujorin e dytë. Megjithatë, rritja e saj mbetet e zbehtë në raport me pritshmëritë tona. Ne gjykojmë se nxitja  kërkesës dhe përmirësimi i ofertës për kredi mbetet një nga parakushtet për rritjen ekonomike afatmesme dhe afatgjatë të vendit”, vlerëson BSH.

Kreu i bankës përshëndeti dhe miratimin e reformës në drejtësi, e cila sipas tij forcon besimin në ekonominë shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA