Aksidentet, eksperti Hoxha: Të ngrihet autoritet sigurie rrugore

03/08/2016 00:00

Cili është shkaku i vërtetë i aksidentit në Velipojë dhe si mund të përmirësohet siguria rrugore në vend? Për të folur për këto, në studio e edicionit qendror informativ në Top Channel ishte eksperti i sigurisë rrugore, Gëzim Hoxha.

Ai flet për një formë gjeometrike jo të rregullt të rrugës dhe sinjalistikë të pamjaftueshme.

“Jemi para një fakti që rruga ka një formë gjeometrike jo të rregullt. Pasi vjen me shpejtësi, një drejtues mjeti i pakujdesshëm, nuk e percepton dot më kthesën dhe del jashtë rruge. Kemi një sërë problemesh. Ky segment duhet të ishte përfunduar dhe kthesa duhet të ishte e butë edhe sinjalistika duhet të nisë më butë, drejtuesi duhet të njihet disa herë me sinjalistikën para se të mbërrijë tek kthesa”, shton ai.

Sa i takon sigurisë rrugore në rang kombëtar, eksperti Hoxha këshillon ngritjen e një autoriteti të posaçëm për këtë çështje.

“Ne kemi nevojë për një autoritet të sigurisë rrugore. Aktualisht kemi një komision që mblidhet njëherë në vit e drejtohet nga Kryeministri, raporton njëherë në vit në parlament. Por aksidentet janë një fenomen dhe bëhen me studime. Duhet një autoritet që të jetë mbi pushtetet lokale dhe t’i ndëshkojë dhe të vendosë në vijë për sinjalistikën dhe rrugët. Këto zgjidhen duke ditur gjithë projektin e sinjalistikës rrugore dhe zhvillimit të rrugëve në Shqipëri”, thotë ai.

Top Channel