Rindërtohet Komisariati i Rrugores

29/07/2016 00:00

Qytetarët e Tiranës do të marrin shërbime të një standardi modern në Komisariatin e Policisë Rrugore në Zonën e “ish-Kinostudios”.

Një investim në bashkëpunim me sipërmarrjen ka bërë të mundur rikonstruksionin e godinës së vjetër, që më parë ishte kthyer në një makth për çdo drejtues automjeti që shkonte për të kryer veprime aty.

Komisariati i ri u inaugurua nga kreu i qeverise Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Kryeministri e cilësoi investimin si një ndër hapat e radhës për rilindjen e Policisë së Shtetit.

“Ja ku jemi sot këtu në një situatë tërësisht të transformuar me një pritje të denjë për të gjithë qytetarët, si pjesë e programit të rilindjes së Policisë së Shtetit. Kjo punë ka në krye ministrin e Brendshëm. Puna e tij meriton çdo lëvdatë, pasi jo më kot meriton edhe gjylet e përditshme të baltës së “SHQUP”-it”, u shpreh Rama.

Kushtet e amortizuara të mëparshme të godinës së këtij komisariati bënin që shërbimet ndaj qytetarit të zgjateshin në kohë, ndërsa me investimin e ri mendohet që policia të përballojë një fluks deri më të madh qytetarësh, deri në 140 në ditë.

Top Channel