
Kryetari i nismës qytetare “Serbia, Drejtësia, Demokracia”, Oliver Ivanoviç, i cili ndodhet në burg, u ka rekomanduar udhëheqësve serbë të veriut të Kosovës ta formojnë vet Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, pasi këtë gjë Prishtina nuk do ta bëjë sipas tij.
Lidhur me këtë deklaratë të Ivanoviçit, këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj ka thënë për “Telegrafin” se serbët mund të ndërmarrin veprime ilegale në çdo kohë, por ato nuk do të pranohen as nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe as nga komuniteti ndërkombëtar.
“Me deklarata të tilla, Oliver Ivanoviç vetëm sa provon se akuzat ndaj tij kanë gjasa të mira të jenë të sakta”, ka thënë Gecaj.
Edhe dy partitë opozitare, Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë reaguar ndaj deklaratës së kreut të SDP-së.
Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka thënë për “Telegrafin” se deklarata e Ivanoviçit vjen si kërcënim i drejtpërdrejtë nga Serbia. “Kjo e keqe që po e kanos Kosovën ka dy anë të medaljes: në njërën anë kemi kërcënimet e Serbisë dhe njerëzve të saj, e në anën tjetër kemi qyqarllëkun e Qeverisë dhe pushtetit në Kosovë”, ka thënë Selimi.
Ai ka theksuar se Kosova është gjithnjë në rrezik nga Serbia, duke shtuar se ata do të vazhdojnë ta kundërshtojnë themelimin e “Zajednicës” dhe se, “sa më afër të jetë rreziku, aq më shumë do të veprojmë për të shpëtuar nga ai rrezik”.
Në anën tjetër, zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj ka thënë për “Telegrafin” se kjo deklaratë e Ivanoviçit nuk ia vlen të komentohet, pasi ai është i burgosur dhe i akuzuar, ndaj dhe deklaratat e tij politike nuk kanë kurrfarë peshe.
“Ka kaluar koha kur serbët kanë mundur të bëjnë veprime të njëanshme. Krerët e tyre është mirë ta pranojnë realitetin dhe ta kuptojnë se e ardhmja e serbëve në Kosovë është integrimi. Kosova është e pavarur dhe shumë e vendosur që të respektojë të drejtat e pakicave. Asociacioni do të krijohet, jo sepse këtë e duan serbët, por sepse Kosova ka pranuar të jetë bujare në raport me të drejtat e pakicave. Por Kosova nuk mund të krijojë diçka, që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e saj”, ka thënë Nitaj.
Që nga nënshkrimi i marrëveshjes, partitë opozitare kanë kundërshtuar vazhdimisht themelimin e Asociacionit, e madje për këtë kanë organizuar protesta të mëdha në kryeqytet.
Top Channel