Tiranë, dy paciente humbin jetën pas sherrit me benzinë në spital

25/07/2016 00:00

Dy gra 55 vjeçare humbën jetën nga asfiksia në spitalin Amerikan në kryeqytet, pas një zjarri të fuqishëm që dyshohet se u shkaktua me dashje pas një konflikti mes 2 pacientëve të tjerë.

Viktimat janë Sanie Sulaj nga Mamurrasi dhe Hanife Mali nga Laçi, të cilat ishin duke marrë shërbimin në pavionin e hemo-dializës.

Ngjarja e rëndë dhe e paprecedentë ndodhi mesditën e së hënës në brendësi të pavionit teksa pacienti Lefter Canaj, 57 vjeç, ka nxjerrë nga qesja një bidon me benzinë dhe ka spërkatur pacientin tjetër Dashamir Saraçi, 47 vjeç, duke i vënë zjarrin.

Motivet e sherrit që sollën ngjarjen tragjike ende nuk dihen ndërsa dëshmitarët flasin për një skenë të tmerrshme. Ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikëseve dhe forcave të komisariatit nr 3 bënë të mundur evakuimin e personave që ndodheshin në pavion, përfshirë stafin e spitalit pasi bilanci mund të ishte edhe më tragjik.

Të plagosur nga zjarri i fuqishëm kanë mbetur edhe 2 pacientët e përfshirë në konflikt të cilët ndodhen në gjendje të rëndë në reanimacion.

E lënduar lehtë ka mbetur edhe një infermiere, ndërsa i gjithë stafi i spitalit ndodheshin në detyrë do të merren në pyetje nga policia për të zbardhur rrethanat e ngjarjen e rëndë. Sipas uniformave blu zjarri është përhapur në pavion dhe dhomat e tjera, si pasojë e medikamenteve dhe elementëve të tjerë të ndjeshëm nga temperaturat e larta.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel