Miratohet bursa e energjisë, pjesë e planit kombëtar për liberalizimin e tregut

24/07/2016 00:00

Qeveria ka miratuar një vendim, i cili i hap zyrtarisht rrugën themelimit të bursës shqiptare të energjisë. Në mbledhjen e radhës Këshilli i Ministrave bashkë me modelin e tregut të energjisë elektrike, ka miratuar edhe një aneks të posaçëm, i cili përcakton planin dhe afatet për krijimin e bursës.

Sipas vendimit, bursa do të krijohet në mars të vitit të ardhshëm dhe në datën 31 dhjetor të 2017-ës ajo do të fillojë zyrtarisht tregtimin e energjisë në vend.

Krijimi i bursës është pjesë e planit kombëtar për liberalizimin e tregut të energjisë. Sipas këtij plani, është parashikuar që deri në fund të vitit të ardhshëm, do të jenë mbi 5 mijë biznese, të cilat nuk do të furnizohen më nga OSHE, por do ta blejnë energjinë në treg të lirë nga tregtarët privat.

Autoritetet thonë se ngritja e bursës do të lehtësojë shitblerjen e energjisë me çmime që reflektojnë vlerën reale të tregut. Veç kësaj, ajo do të eliminojë përfundimisht tendera publikë të energjisë, të cilat në të kaluarën janë hetuar nga Autoriteti i Konkurrencës por edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit si të dyshimtë për korrupsion.    

Kjo pasi nga një janari i vitit 2018, Operatori i Shpërndarjes do ta blejë të gjithë energjinë e nevojshme për mbulimin e humbjeve përmes bursës sipas çmimeve të vendosura nga raporti kërkesë ofertë.

Por, përveçse ul mundësitë për abuzime, ekspertët thonë se ngritja e bursës do të inkurajojë edhe investimet në prodhimin e energjisë, pasi prodhuesit privat, veçanërisht ata të mëdhenj do të kenë një treg të garantuar për shitjen e saj.

Top Channel