Pokemon Go, loja e suksesshme e Nintendos tashmë mundësohet edhe në Japoni, vendlindja e monstrave të vegjël virtual. Fillimisht e lançuar në SHBA, Australi dhe Zelandën e Re në 6 korrik, Pokemon Go mund të luhet tani në 30 vende dhe është shndërruar në një fenomen global.

Lojtarët ndërveprojnë me personazhet virtuale përmes lëvizjeve në botën reale. Shumë nga ata që kishin pritur me padurim krijimin e Nintendos, që mund të luhet ne smartfon, populluan qendrën e Tokios, dhe u vunë menjëherë në kërkim të presë së tyre.

Disa shprehen nostalgji për atë që shohin si ringjallje të lojës së preferuar të fëmijërisë.

“Unë mbush 32-vjeç këtë vit, por kam luajtur Pokemon-in në ‘game boy’ kur isha në shkollën fillore, ashtu si edhe fëmijët e tjerë të brezit tim. Prandaj isha shumë i entuziazmuar për lançimin e saj”, tha një përdorues.

Një tjetër lojtar tha se shpresonte të humbiste peshë, por shtoi se siguria ishte një çështje që duhej konsideruar gjithashtu.

“Besoj se do të humbasë disa kilogramë duke ecur më shumë. Më parë lëvizja me tren po tani do të eci. Në të njëjtën kohë duhet të tregohem i kujdesshëm në rrugë pasi më herët gjatë ditës për pak sa nuk më goditi një makinë”, u shpreh ai.

Qeveria japoneze publikoi një paralajmërim për sigurinë prej 9 pikash ku ndër të tjera këshillon përdoruesit të mos përdorin emrat e tyre të vërtetë, e të ruhen nga temperaturat e larta.

McDonald, sponsor i lojës, ka vënë në dispozicion 3 mijë prej dyqaneve të tij rreth Japonisë që do të shërbejnë si vendet ku do të mund të luftohet apo trajnohen personazhet. Gjithsesi kompania paralajmëron përdoruesit të mos bezdisin klientët që janë duke ngrënë.

Top Channel