Parlamenti grek ka aprovuar me shumice votash, 179 nga 281 të pranishëm, ligjin e ri elektoral që sjell në sistemin e votimit, përfaqësimin e thjeshtë proporcional të partive politike.

E thënë ndryshe, partia që fiton zgjedhjet përfiton aq mandate sa edhe përqindja e votave që siguron në zgjedhje duke  humbur  tashmë të drejtën e një bonusi prej 50 vendesh në Parlament që ekzistonte në vitet e fundit.

Përveç humbjes së bonusit prej 50 mandatesh për partinë fituese në ligjin e ri përfshihet e drejta e votës për 17-vjeçarët ndërsa rruhet tavani prej 3% që duhet të sigurojë një parti në zgjedhje për të hyrë në Parlament.

Por, projektligji që është votuar nga koalicioni i Syriza-s dhe Grekët e Pavarur, si dhe nga partia Unioni i qendrës nuk ka mundur të sigurojë dy të tretat e votave të parlamentit 300 vendësh, në mënyrë që të zbatohet qysh në zgjedhjet e ardhshme.

Konservatorët, socialistët dhe partia e qendrës, Lumi, kanë votuar kundër duke mbështetur faktin që në këtë periudhë krize, një parlament i përbërë nga shumë parti do të vështirësojë një qeveri koalicioni.

Lideri i Demokracisë së re, Kyriakos Mitsotakis, ka deklaruar se nëse e djathta vjen në pushtet do të ndryshojë përsëri ligjin e ri zgjedhor.

Top Channel