“Prova gjenerale” e 21 korrikut; Seanca e së enjtes, parathënie e javës së ardhshme

14/07/2016 00:00

Një javë përpara datës për votimin e ndryshimeve kushtetuese, palët janë ende në negociata, por u duk se në këtë seancë, sikur secili po konsolidonte argumentet për të fajësuar tjetrin, për një dështim eventual të reformës në drejtësi.

“Në qoftë se do ta kishte Rumania dhe Kroacia, Sali Berisha, se çfarë do të bënte PD-ja nuk e di, por unë do ta miratoja. Do ta pranoja si një dorëzim sovraniteti të kushtëzuar nga procesi europian”, tha deputeti demokrat dhe ish-kryeministër, Sali Berisha.

“Po çfarë sovraniteti flisni ju. Juve njëherë që iu dha mundësia, shitët detin. Një herë patët ju mundësi dhe menjëherë e shitët detin e shqiptarëve e disa ishuj aty, ia dhatë grekut”, u kundërpërgjigj socialisti Taulant Balla.

Një prej pikave të negociimit është kompetenca kushtetuese e vëzhguesve ndërkombëtarë. Një çështje që e veçoi Jozefina Topalli, pak pasi ishte takuar me ambasadorin amerikan Donald Lu.

“Besoj se zgjidhja është shumë e thjeshtë, duke e kaluar këtë në nivel ligji dhe nivel marrëveshjeje bashkëpunimi, siç kemi pasur shumë marrëveshje të tjera”, tha deputetja Jozefina Topalli.

“Nëse në këtë libër ka një shkronjë që prek sovranitetin e Republikës së Shqipërisë, unë nuk qëndroj më deputet në këtë vend”, tha më tej socialisti Pandeli Majko.

Sesa larg janë të dyja palët kur analizojnë thelbin e reformës në drejtësi, këtë e treguan kryetari dhe nënkryetari i komisionit të posaçëm të reformës.

“Ju keni dy gjëra me të cilat keni probleme me këtë projekt. Të parën e keni me ‘Vetting’-un, me pastrimin e Gjyqësorit dhe Prokurorisë nga elementët e korruptuar, të paaftë dhe të lidhur me botën e krimit. Problemi i dytë është se jeni të ndershëm. E keni me Prokurorinë Speciale Antikorrupsion. Është frika, ajo që nuk iu lë ta miratoni këtë gjë”, tha Fatmir Xhafaj.

“Procedura e ‘Vetting’-ut që parashikon mazhoranca socialiste, gjyqtarin ose prokurorin që i gjendet një shtëpi plus, dyfish pasurie, e dërgon në shtëpi dhe nuk e çon në burg. Kush është pjesa tjetër e gënjeshtrës? Që kjo prokuroria e posaçme, apo SPAK-u, do të ketë gjithsej 10 prokurorë. Një grykë shisheje në të gjithë Shqipërinë, ku ky llum i madh nuk do të kalojë dot kurrë”, deklaroi Oerd Bylykbashki.

Në këtë debat nuk mori pjesë kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, por ai është takuar pasdite me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, i cili nuk ka hequr ende dorë nga përpjeket për një marrëveshje.

Top Channel