Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në një deklaratë për shtyp të mbajtur mbrëmjen e sotme, ka akuzuar Gjykatën e Tiranës se është vënë në shërbim të politikës për të penguar reformën në drejtësi.
Tahiri ka deklaruar se, duke i shërbyer segmenteve të politikës dhe duke shkelur hapur, sipas tij, ligjin dhe rregulloren, gjykata ka vendosur pezullimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë, Haki Çako.
Ministri ka treguar ato që i ka quajtur “faktet skandaloze” se si funksionon drejtësia në këtë vend, sesi preferencat politike kthehen në vendime dhe si tërhiqen gjyqtarët “me pinca” për të ndalur rrugën drejt miratimit të reformës në drejtësi.
“Gjyqtari Arian Aliaj, që pezulloi nga detyra drejtorin Haki Çako, nuk ishte gjyqtar i gatshëm, pra nuk duhet të merrte në shqyrtim çështjen. I gatshëm duhet të ishte Adriatik Botaj, i cili duhet të jepte vendimin. Shorti, për çudi, është mënjanuar dhe gjyqtari që ka marrë përsipër çështjen ishte Aliaj. Pyes KLD-në, Unionin e Gjyqtarëve, etj, për cilën arsye, jashtë ligjit, u përzgjodh Aliaj për të dhënë vendimin kundër Çakos? Pse nuk u respektua ligji, pse nuk u mbajt shorti?”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, kjo është “gjendja skandaloze” se si funksionon gjykata: “gjyqtari vihet në shërbim të politikës sepse e ka ndihmuar të kthehet në detyrë pasi kishte liruar vrasësit”.
“Pyes Kadri Islamin, kryetar i Gjykatës së Tiranës dhe asistent i Sali dhe Argita Berishës, përse u anashkalua shorti dhe nuk u zbatua ligji? Këto janë pyetje, për të cilat përgjigjet janë të detyrueshme për ata që kanë përgjegjësinë për funksionimin e gjykatave. Kryetari i gjykatës së tiranës ka detyrime t’i shpjegojë publikut”, ka thënë Tahiri.
Ai ka shtuar se, “korrupsioni në drejtësi është korporata e së keqes, që mban peng drejtësinë dhe po vendoset të mbajë peng Shqipërinë”. “Por ne jemi të vendosur të miratojmë reformën. Në vazhdim do ketë më shumë fakte për skandalin në drejtësi”, ka shtuar Tahiri.
Gjatë deklaratës së tij, Tahiri ka komentuar edhe reagimin e KLD-së ndaj deklaratave të mëhershme të tij, të cilat, siç tha ai, faktojnë gjendjen skandaloze se si funksionon drejtësia në vend.
“Përshëndes deklaratën e KLD në mbrojtje të gjyqtarit Aliaj. Ishte deklarata më e sinqertë, sepse nuk do të kishte pasur mundësi më të mirë që KLD të demaskohej nga një gjyqtar të shkarkuar pse ka liruar vrasës dhe është kthyer për të vazhduar punën nga pushteti politik. Kjo deklaratë tregoi fytyrën e vërtetë të KLD-së dhe nevojën se si duhet të funksionojë drejtësia”, ka thënë mes të tjerash Tahiri.
Top Channel