Presidenti François Hollande priti në Paris kryeministrat e 6 vendeve të Ballkanit në samitin e tretë pas iniciativës së Berlinit. Edhe pse në një situatë aspak komode pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja, Hollande por edhe kancelarja gjermane Angela Merkel siguruan Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Kosovën dhe Bosnjen se asgjë nuk ka ndryshuar përsa i takon zgjerimit.
“A është procedura, e cila do të fillojë në vjeshtë mes Bashkimit Europian dhe Mbretërise e Bashkuar, ajo që ka sjellë pasigurinë mbi perspektivën evropiane për të cilën janë mbledhur këtu sot vendet e Ballkanit? Nuk ka ndryshuar asgjë, ka vende që janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe vende që nuk janë anëtare të Bashkimit Europian. Pra, është e rëndësishme të riafirmojmë edhe njëherë faktin se vendimi britanik nuk vë në pikëpyetje angazhimet që lidhen me vendet e rajonit të Ballkanit”, deklaroi Hollande.
“Ka procese politike të cilat nuk janë të lehta, por unë së bashku me presidentin francez Francois Hollande dhe Federica Mogherinin theksojmë se perspektivat për anëtarësim për vendet e Ballkanit perëndimor mbeten. Vendimi i Britanisë së Madhe për Brexit nuk ka ndryshuar asgjë lidhur me këtë. Kjo është ajo çka vendet kishin frikë. Përkundrazi, ne po flasim për kushtet që ato duhet të përmbushin me qëllim që të avancojnë në procesin e integrimit”, deklaroi Merkel nga ana tjetër.
Ndërkohë, komisioneri për Zgjerimin Johanes Hahn tha se Bashkimi Europian ka vendosur që të ofrojë 96 milionë euro për projektet e infrastrukturës hekurudhore në Serbi, Shqipëri dhe në Kosovë. Ai po ashtu siguroi se Brukseli do të japë edhe një fond prej 50 milionë për projekte që lidhen me çështje mjedisore.
“Kjo tregon se jemi seriozë në lidhje me angazhimin tonë për t’i çuar deri në 1 miliard euro deri në vitin 2020 fondet e vëna në dispozicion për vendet e Ballkanit”, tha Hahn.
Gjashtë kryeministrat patën takime dypalëshe mes tyre, por edhe me zyrtarët e Komisionit Europian, si dhe me presidentin Hollande dhe kancelaren Merkel.
Komisioneri Hahn shkroi në profilin e tij në Twitter se, pati një takim të frytshëm me kryeministrin Edi Rama, me të cilin bisedoi për rrugëtimin e Shqipërisë në Europë, por edhe reformën në drejtësi.
Top Channel