Kriza financiare greke, vetëvritet pas falimentit presidenti i “Jet Oil”

04/07/2016 00:00

Shok ka shkaktuar orët e fundit në Greqi vetëvrasja e presidentit të kompanisë “Jet Oil”, Kyriakos Mamidakis, i cili është gjetur i vdekur me një plumb në kokë në shtëpinë e tij. Sipas policisë, pranë trupit të biznesmenit 84-vjeçar është gjetur edhe arma, me të cilën ka vrarë veten.

Disa ditë më parë kompania e tij “Jet Oil”, një nga kompanitë më të mëdha të tregtimit të produkteve të naftës në vend kishte paraqitur një kërkesë për t’u përfshirë në nenin 99 të kodit të falimentimit, për t’u mbrojtur nga kreditorët.

Kohët e fundit “Jet Oil”, që punësonte 200 nëpunës, përballonte probleme serioze të likuiditetit dhe nuk mund të paguante shumë prej furnizuesve, të cilëve u detyrohej mbi 320 milionë euro prej vitit 2014.

Si rezultat ka mbyllur shumë benzinata në Athinë, Peloponez dhe Kretë. Kompania “Mamidoil Jetoil” është krijuar në fillim të viteve ’60, kontrollonte mbi 600 pika furnizimi me karburant, zotëronte pikën më të madhe depozituese në Ballkan, me anë të së cilës furnizonte të gjithë Greqinë e veriut, por edhe disa shtete të Ballkanit, si Shqipërinë dhe Bullgarinë.

Gjithashtu, kompania ka 33 autobote me rimorkio për furnizim me karburant, si dhe 7 anije të vogla çisternë për furnizimin e ishujve greke, apo anijeve të kompanive kliente të saj në detin Egje.

“Jet Oil” është kompania e dytë “viktimë” e krizës ekonomike, që depoziton kërkesën për falimentim dhe mbrojtje nga kreditorët në Greqi brenda disa ditëve, pas kolosit të supermarketeve “Marinopoulos”, borxhet e të cilit shkojnë në qindra milionë euro.

Top Channel