Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me anë të një deklarate për shtyp, deklaroi se “shqiptarët janë sërish me sytë drejt emigrimit”, ashtu si 26 vite më parë.
“Si sot 26 vite më parë shqiptarët thyen hekurat e izolimit dhe u futën nëpër ambasada, me shpresën e një jete më të mirë, më të denjë për vete dhe fëmijët e tyre. Fatkeqësisht, ndërsa përkujtojmë këtë moment të rëndësishëm të kthesës historike që mori vendi ynë, shqiptarët janë sërish me sytë drejt emigrimit. 100 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në Gjermani, Holandë, Suedi e vende të tjera të Bashkimit Europian, 200 mijë shqiptarë kanë aplikuar për Lotarinë Amerikane”, shprehet Basha.
Kreu i opozitës shton se “varfëria, papunësia, pasiguria, dhuna dhe terrori qeveritar janë arsyet e emigrimit të sotëm”.
“Në krye të vendit është qeveria më e korruptuar e 25 viteve demokraci, e lidhur me krimin dhe e mbushur me kriminelë qe ju zhvat shqiptarëve 1miliardë euro në vit. Por ndryshe nga dje, ne kemi në dorë mjetet demokratike për të bërë ndryshimin që dëshiron shumica dërrmuese e shqiptarëve. 2 korriku është një thirrje që të bashkohemi ashtu si 26 vite më parë për të larguar këtë regjim kriminal e të korruptuar e për t’u kthyer shqiptarëve shpresën e humbur”, deklaroi Basha.
Top Channel