Iu hoqën titujt mbretëror, Mbreti Charles akordon një shumë për shpërnguljen e princit nga rezidenca mbretërore dhe një pension vjetor Frika, pasiguria, por edhe sfida ndaj atyre që shkatërrojnë jetë janë ndjenjat që mbizoterojnë pas sulmit të përgjakshëm në aeroportin “Ataturk” të Stambollit.
Vdekja në spital e punonjësit të një kafeneje aty e çoi në 42 bilancin e jetëve të humbura nga të shtënat e shpërthimet në nyjen e tretë më të rëndësishme të transportit ajror në Europë. 41 prej 239 të plagosurve janë në reanimacion.
Xhamat e thyer e shenjat nëpër mure ishin të dukshme edhe sot, megjithëse puna për riparimin e dëmeve nisi që të mërkurën.
Njerëzit druhen, por kjo nuk i ka penguar të rikthehen sërish në atë që përpara dy ditësh u bë skenë e një masakre, vepër sipas gjasave e grupit të egër xhihadist të Shtetit Islamik.
Një udhëtar turk thote se sulmi, sipas mendimit të tij, ishte pasojë e paqëndrueshmërisë në mbarë rajonin.
“Ka trazira në mbarë vendin, e këto përkthehen në pasiguri në trena, autobuzë, tragete. Fatkeqësisht, në këtë pikë është mbërritur për shkak të instabilitetit në vendet që rrethojnë Turqinë”.
Turqia është pjesë e koalicionit ushtarak anti-ISIS të drejtuar nga Amerika e strehon rreth 3 milionë refugjatë sirianë, të larguar nga vendi i tyre për shkak të konfliktit rrënues 5-vjeçar.
Pohimeve të kryeministri Binali Yildirim se të dhënat e para flasin që të gjitha për një sulm të Shtetit Islamik, i bëri jehonë edhe shefi i CIA-s, John Brennan sipas të cilit mësymja në aeroport ka të gjithë shenjat dalluese të grupit ekstremist.
Askush nuk e ka marrë deri tani përgjegjësinë e ngjarjes, por kjo nuk është për t’u çuditur pasi ISIS-i rrallëherë i ka deklaruar goditjet e tij në shtetin turk.
Armiku tjetër i Ankarasë, separatistët kurdë, autorë të jo pak sulmeve të rënda në rrjedhën e viteve, përgjithësisht në shënjestër vë policët dhe ushtarët turq.
Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden e cilësoi si të admirueshme vendosmërinë e popullit turk, e me komentet se “botës së civilizuar do t’i duhet të jetojë me këta xhihadistë të pafytyrë derisa kalifati i tyre të zhduket nga faqja e dheut”, firmosi librin e ngushëllimeve në Ambasadën turke në Uashington D.C.
Top Channel