David Cameron do të takohet me liderët e Bashkimit Evropian për herë të parë që pas votës britanike për largimin nga unioni. Kryeministri britanik do të diskutojë me ta implikimet e “Brexit”-it dhe rrugën që duhet ndjekur, si një formë parapërgatitjeje për samitin e Bashkimit Evropian në Bruksel.
Më herët, liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë thanë se në këtë fazë nuk mund të ketë bisedime formale apo jo formale për largimin e Britanisë së Madhe. Ndërsa Evropa përpiqet që të pranojë largimin britanik, Cameron do të marrë pjesë në një darkë pune me liderët e Be-së, pasi të takohet me presidentin e Këshillit Evropian Donald Tusk dhe presidentin e Komisionit Evropian, Jean Claude Junker.
Por Cameron nuk është i ftuar në samitin e liderëve të BE-së që zhvillohet të mërkurën. Kryeministri britanik ka lajmëruar dorëheqjen e tij pasi rezultati i referendumit shkoi kundër tij. Gjatë një fjalimi, Cameron tha se rezultati i referendumit duhet pranuar sepse është vendimi i popullit, ndërsa shtoi se po ndërtohet një njësi speciale brenda qeverisë për të krijuar strukturën e largimit të Britanisë nga BE-ja.
Por Cameron ritheksoi se do të jetë pasardhësi i tij që do të zgjidhet në fillim të shtatorit, ai që do të vendosë për rrugën që duhet ndjekur dhe për aplikimin e nenit 50 të Traktatit të Lisbonës. Kjo do të thotë se negociatat nuk do të nisin aq shpej sa dëshironte BE-ja, megjithëse lideret e unionit, mes të cilëve kancelarja gjermane Anglea Merkel, thanë se qeverisë së re britanike i duhet dhënë kohë që të përgatitet.
Top Channel