Referendumi, një dështim edhe për emrat e mëdhenj që nuk ndikuan sa duhej

24/06/2016 00:00

Referendumi shpalosi ndër të tjerash faktin se, emra të njohur të ekranit në fusha të ndryshme, emra të dashur për publikun, nuk kishin fuqinë e duhur për të kthyer votën nga “kundër” në “pro” qëndrimit në Bashkimin Europian.

Shumica e emrave të njohur të botës së muzikës, letrave, apo edhe kinematografisë ishin kundër “Brexit”-it, por rezultati i referendumit ishte një shuplakë njëherazi edhe për ta.

Agjenti 007 tha se, asnjë vend nuk mund të qëndrojë i vetëm. Autorja e famshme e “Harry Potter”-it prej kohësh ka shpalosur hapur mendimin e saj, duke thënë se fushata për t’u larguar është drejtuar nga “racistët dhe fanatikët”.

Aktorja amerikane Lindsay Lohan shprehu habinë e saj ndaj të gjithë njerëzve që votuan “pro” daljes së Britanisë nga BE-ja. Statuse në “Twitter” nuk munguan as nga komediani britanik, James Corden, i cili e përshkroi si një ditë të trishtë për vendin, kryesisht për të rinjtë, për të cilët thotë se duhet të ndihen të zhgënjyer. Këngëtarja Lily Allen nuk i kurseu lotët kur mori vesh rezultatin e referendumit, që për të ishte i papritur.

Por apeli i tyre nuk shërbeu aspak. Nuk mjaftoi as thirrja e David dhe Victoria Beckham, Elton John apo John Cleese. Fuqia e yjeve nuk kishte ndikimin e duhur. Për një analist politik bullgar, këtë herë doli në pah fakti se, elitat nuk kanë më efektin e mëparshëm, madje apeli i tyre mund të kthehen edhe në “boomerang”.

Top Channel