Më shumë se 20.000 vetë dolën në rrugët e Shkupit të hënën për të kërkuar hetimin e çështjeve të korrupsionit dhe zgjedhje të ndershme, për të cilat thonë se nuk do të jenë të mundura nëse listat e votuesve nuk ripërtërihen e të garantohet liria e medias në vend.

Demonstruesit, që kanë zhvilluar protesta të ngjashme edhe në qytete të tjera të vendit që prej muajit prill, por në një shkallë goxha më të ulët, pretendojnë se asnjëra prej kërkesave të tyre nuk është plotësuar, ndaj vendosen të nisin një valë tubimesh masive në kryeqytet.

“Kemi 70 ditë që protestojmë. Ajo që po bëjmë tani, ka nisur të quhet “revolucioni i ngjyrave”. Që të gjithë kemi të njëjtat kërkesa, ndaj të cilave qeveria nuk reagon, dhe siç e kemi thënë më parë, po e humbasim durimin dhe nuk duam të presim më gjatë”, u shpreh Maja Maracanin, protestuese.

Njësi speciale të policisë u dislokuan përreth ndërtesave qeveritare pasi një grup protestuesish thyen xhamat e zyrës së presidentit. Ata e spërkatën gjithashtu me bojë këtë të fundit, ashtu si dhe pjesë të ndërtesës së Parlamentit, por përleshjet me forcat e rendit, përgjithësisht, u shmangën.

Sipas marrëveshjes së arritur vitin që shkoi me ndërmjetësimin e BE-së, partitë politike maqedonase u pajtuan me idenë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme dhe atë të hetimit të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski për çështjen e përgjimeve nga një prokuror i posaçëm.

Top Channel