I shoqi i deputetes laburiste: Vrasja, për shkaqe politike

21/06/2016 00:00

Për bashkëshortin e deputetes laburiste të vrarë, Jo Cox, arsyeja që solli vdekjen tragjike të saj është se ajo kishte pikëpamje shumë të forta politike.

Në një intervistë për BBC, ai tha se bashkëshortja e tij ishte e shqetësuar se debati politik i referendumit do të ashpërsohej në ditët në vijim.

Brendan tha se prioriteti i tij tashmë është kujdesi për dy fëmijët. “Ajo mbeti e vrarë ndërsa luftonte për një të ardhme më të mirë për ta, ndaj dhe patjetër dua të sigurohem që do të vazhdoj të luftoj për ta”, u shpreh 45-vjeçari.

Gjithashtu, si një nga personat që e ka njohur më mirë, bashkëshorti i Jo Cox tha se ajo ishte një luftëtare e apasionuar për të drejtat e njeriut, zhvillimin ndërkombëtar dhe gjendjen e refugjatëve. Këtë, Cox e ka reflektuar gjatë karrierës së saj parlamentare dhe në rolin e saj të mëparshëm të punës ne Oxfam.

Brendan do ta mbajë mend atë, si një njeri që kishte dëshirë dhe energji për të jetuar. Ndërsa tani, ai shpreson që ish-bashkëshortja e tij të zëvendësohet nga një grua në Parlament, duke thënë se kjo do të ishte “një simbolikë e bukur”.

Sot, Jo Cox do të kishte përvjetorin e saj të 42-të të ditëlindjes, por papritur jeta e saj u mbyll pas goditjeve me armë të ftohta nga një agresor, i cili e kishte pritur deputeten të mbaronte takimin e saj me zgjedhësit.

Top Channel