OKB: Refugjatët, numër rekord prej 65 mln. Të luftohen shkaqet e arratisë

20/06/2016 00:00

Më shumë se 65 milionë njerëz, gjysma e tyre nga Siria, Afganistani e Somalia, janë zhvendosur në mbarë botën si pasojë e luftrave e konflikteve.

Numri i të shpërngulurve për këto arsye, ku përfshihen refugjatë, azilkërkues e persona që kanë lëvizur brenda kufijve të vendit të tyre, sipas UNHCR-së është më i madhi i regjistruar ndonjëherë dhe shënon një rritje me 5 milionë vetë brenda një viti.

Një shifër e tillë, – vazhdon agjencia e OKB-së për refugjatët, – nënkupton një në 113 njerëz të planetit.

“Fatkeqësisht, numri i njerëzve të shpërngulur vitin e kaluar është rritur me 10%. Tani janë 65 milionë të zhvendosur. Dy të tretat janë njerëz që kanë lëvizur brenda vendit, një e treta janë refugjatë, 90% e të cilëve vijnë nga shtete me mirëqenie mesatare apo të varfra, dhe 50% e këtij grupi janë fëmijë”, tha Filippo Grandi, komisioner i lartë i OKB-së për refugjatët.

Një shqetësim më vete për Grandin përbën klima e ksenofobisë së krijuar në Europë pas vështirësive, në të cilat e zhyti kriza e emigrantëve kontinentin e vjetër. Fluksi i njerëzve, më i madhi që prej Luftës së Dytë Botërore, ka çuar në një rritje të ndjeshme të mbështetjes për grupet e ekstremit të djathtë dhe politika kontronverse antiemigracioni.

Në raportin e përvitshëm të publikuar në Ditën botërore të Refugjatëve, OKB-ja thekson se është hera e parë që numri i refugjatëve nëpër botë kalon nivelin e 60 milionëshit.

Deri tani, zgjidhjet e këtij ngërçi kanë qenë të paplota, mendojnë ekspertët, sepse përpjekjet nuk po fokusohen te zgjidhja e vërtetë: ajo e shkaqeve të arratisë. Për aq kohë sa në Siri vazhdon të luftohet, njerëzit do të përpiqen në vijimësi të largohen prej andej, e nuk ka për t’i penguar asnjë tel me gjemba.

Top Channel