Kretë, nis sinodi i kishave ortodokse. Mes tyre edhe Kisha Autoqefale e Shqipërisë

20/06/2016 00:00

Bashkëmeshimi panegjirik në Kishën e Hirshme të Shën Minait, në Iraklio të Kretës, me pjesëmarrjen e të gjithë primatëve ortodoksë, ka shënuar fillimin e Sinodit të Shenjtë dhe të Madh të Kishës Ortodokse, që zhvillohet në Akademinë Ortodokse të Kretës gjatë të gjithë javës së shenjtë të Pentikostisë.

Janë dashur të paktën 50 vite përpjekjeje, që krerët e Kishave Ortodokse të bien dakord me axhendën dhe vendin ku do të zhvillohet ky sinod, i pari që nga viti 787 pas Krishtit.

Por, me gjithë këto përpjekje, 4 nga 14 kishat që përfaqësojnë më shumë se 300 milionë besimtarë ortodoksë në të gjithë botën, midis tyre edhe ajo e Rusisë, kanë refuzuar pjesëmarrjen, çfarë nxjerr në pah ndasitë e dikurshme, por edhe ato të sotmet. Midis të tjerash, mbështetja e Kishës së Ukrainës nga Patriarku Bartolomeu, që kritikohet nga Kisha ruse, dhe synimet për fronin e Patriarkanës Ekumenike të Stambollit.

“Gëzimin e kësaj ngjarjeje historike e minimizon vendimi i disa kishave simotra për të mos ardhur dhe për të mos marrë pjesë në këtë sinod të madh, e përgjegjësia për këtë bie mbi vet udhëheqësit e këtyre kishave”, tha Patriarku Bartolomeu.

Në sinod merr pjesë edhe delegacioni i Kishës Autoqefale Shqiptare, i kryesuar nga kryepeshkopi Anastas. Ai shoqërohet nga mitropolitët e Beratit, Korçës, Gjirokastrës, Apolonisë e Fierit, Elbasanit, Amantias dhe Episkopi i Bylisit, si dhe një grup shoqëruesish dhe ndihmësish.

Sinodi, që diskuton për një seri çështjesh, si misioni i Kishës Ortodokse në botën bashkëkohore dhe marrëdhëniet e saj me pjesën tjetër të botës së krishterë, diasporën ortodokse, autonominë e kishës etj, zhvillohet në një periudhë kur islamizmi fundamentalist ndodhet në kulmin e tij, ndërsa paralelisht, siç theksojnë disa prej krerëve të kishave, Turqia e Presidentit Erdogan ka sfiduar ortodoksët anembanë, duke dhënë leje për këndimin e Kuranit gjatë muajit të Ramazanit në Kishën muze të Shën Sofisë në Stamboll.

Sinodi do t’i mbyllë punimet të dielën e të gjithë shenjtorëve, më 26 qershor.

Top Channel