Orlando, funeralet e dy viktimave mes tensioneve të reja

19/06/2016 00:00

Funeralet e dy prej 49 viktimave të masakrës së ndodhur në klubin e natës për homoseksualë në Orlando të Floridës, u karakterizuan nga ngjarje të tensionuara mbrëmjen e së shtunës, teksa një shofere “e pakujdesshëm dhe në ankth” u akuzua për plagosjen e dy oficerëve të zbatimit të ligjit, ndërkohë që ceremonia tjetër mortore u zhvillua nën sytë e protestuesve kundër LGBT-së.

Dy oficerë të qarkut Oscleola, të cilët ishin duke lëvizur me motorë, pësuan lëndime gjatë një funerali për Jean Carlos Mendez, në Kissimmee të Floridës, rreth 32 km në jug të Orlandos, kur një drejtuese mjeti devijoi rrugën përmes kortezhit dhe i përplasi ata me makinën e saj. Oficerët u dërguan menjëherë në spital dhe të dy janë jashtë rrezikut për jetën, deklaroi zëdhënësja e policisë Twis Lizasuain.

Në funeralin e viktimës tjetër, Christopher Leinonen, pranë një kishe në qendër të Orlandos, një “grusht” protestuesish nga Kisha “Westboro Baptist” me seli në Kansas qëndruan në heshtje për rreth 45 minuta në shenjë proteste. Ata u bllokuan të shihnin pjesëmarrësit në funeral nga rreth 200 antiprotestues, të cilët thirrën me të madhe kur anëtarët e kishës “Westboro” u larguan.

Masakra e Orlandos vijon të kumbojë anembanë botës. Më shumë se 1.000 persona morën pjesë në vigjiljen nën dritën e qirinjve në Berlin, për të treguar solidaritet me viktimat e sulmit më të rëndë në historinë amerikane, si dhe familjarët e tyre. Porta e Brandenburgut, që për një kohë të gjatë ka qenë simbol i ndarjes së qytetit, u ndez me ngjyrat e ylberit dhe në rrjetet sociale pati edhe një fushatë #berlinfororlando.

Autoritetet janë ende duke hetuar shkaqet që e çuan Omar Mateen të vriste 49 persona në një prej klubeve më popullore të natës për homoseksualët, “Pulse Club”, gjatë orëve të para të së dielës, duke shkaktuar kështu masakrën më vdekjeprurëse në historinë moderne amerikane. Mateen u vra më pas gjatë një shkëmbim zjarri me policinë.

Masakra nxiti gjithashtu debatet për kontrollin e armëve, teksa Kongresi pritet të votojë mbi propozimet e ardhura deri më tani duke nisur nga java e ardhshme, përfshi këtu propozimin për të ndaluar njerëzit e listuar për mbikëqyrje mbi dyshime terrorizmi, nga e drejta për të blerë armë.

Top Channel