SHBA, sondazhi parazgjedhor sheh Clintonin në avantazh ndaj Trumpit

16/06/2016 00:00

Sondazhi më i fundit kombëtar në Shtetet e Bashkuara nxjerr kandidaten demokrate, Hillary Clinton, në një avantazh prej 6 pikësh ndaj rivalit të saj për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump.

Të dy kandidatët që kanë influencën më të madhe në kampet respektive, duket se i pret një garë e fortë nëse votimi në Konventë do të përzgjedhë emrat e tyre si kandidatët zyrtarë për postin më të lartë drejtues të vendit.

Sondazhi, i cili u zhvillua para sulmit terrorist në Orlando, ku humbën jetën të paktën 50 persona, pyeste votuesit mbi aftësitë e kandidatëve për të menaxhuar terrorizmin. Të anketuarit votuan me 50% Clinton dhe 43% Trump, duke besuar se ish-Sekretarja amerikane e Shtetit  ka platformën e duhur për të parandaluar të tilla kërcënime.

Por pas sulmit në “Pulse Club” të Orlandos, ish-Sekretarja e Shtetit dhe manjati i pasurive të patundshme kanë pasur përplasje të forta. Trump propozoi ndalimin e hyrjes në SHBA të të gjithë emigrantëve që vijnë nga vende me rekorde terrorizmi.

Ndërsa për Clintonin, retorika e kundërshtarit të saj nuk tregon asgjë tjetër përveçse mungesës së aftësisë së tij për të qenë udhëheqës, sipas saj. Por sa i përket çështjes së “e-mail”-eve private të Hillary Clintonit, votuesit shprehën mosmiratim të madh duke thënë se ajo ka bërë një gabim.

Ndërsa përballimin e krizës kombëtare në vend, të anketuarit ia besuan duarve të Hillary Clintonit. Sondazhi u krye nga “CBS” nga 9 deri në 13 qershor në mbarë vendin. Shkalla e gabimit të tij është cilësuar plus-minus 3 pikë.

Top Channel