Vijojnë dëshmitë e masakrës së Orlandos, disa me ndjenja faji

15/06/2016 00:00

Gjashtë prej 53 personave të plagosur në masakrën e klubit gay, më e madhja e këtij lloji në historinë e Shteteve të Bashkuara, janë në gjendje kritike për jetën.

Tmerri i atyre momenteve vazhdon të jetë i gjallë te të mbijetuarit, njëra prej të cilëve, Patience Carter lexoi përpara gazetarëve një poezi të dhimbshme, ku tregon sesa i vështirë mund të jetë rikuperimi dhe barra e përjetimit të të qenit gjallë.

Ashtu si shumë prej klientëve të tjerë të barit, në momentin kur nisën të shtënat, 20-vjeçarja vrapoi të mbyllej në tualet, ku do të qëndronte për disa orë deri në mbërritjen e forcave të policisë. Të njëjtin veprim bëri edhe Akyra Murray, por ajo nuk ishte kaq me fat.

Mesazhi i fundit që 18-vjeçarja u dërgoi prindërve të copëton zemrën. “Ju lutem, hajdeni na merrni tani. Ju lutem, këtu po qëllojnë me armë!!!”.

Babai dhe nëna e saj i dhanë makinës si të çmendur për gjysmë ore, deri sa mbërritën në “Pulse Club”, por nuk hynë dot. Vajzën e tyre, Mateen e mbante peng në tualet bashkë me disa të tjerë. Vdekjen e saj do ta mësonin shumë më vonë.

Ndjenja e fajit peshon edhe mbi një të mbijetuar tjetër.

“Mua më shpëtoi shoku im më i mirë. Më mbrojti nga të shtënat me trupin e tij. Nuk rresht dot së menduari se ai vdiq për fajin tim”, thotë Demetrice Naulings.

Autoritetet i kanë dientifikuar tashmë të 49 viktimat e ngjarjes. Ata janë të moshave nga 18 deri në 50 vjeç.

Top Channel