
Në një kohë kur e gjithë bota e futbollit i ka kthyer sytë nga Franca, ku po zhvillohet kampionati europian, nuk duhet harruar as “jeta” përtej këtij evenimenti madhor. Premier League, kampionati anglez që konsiderohet edhe ndër më të fortët në botë, sapo ka publikuar kalendarin e sezonit të ardhshëm.
Gjithçka nis fundjavën e 13-14 gushtit, por gjërat që të bien në sy janë dy: së pari Leicester City, “hirushja” kampione e Anglisë do të presë në shtëpi të sapongjiturit e Hull City, ndërsa së dyti, por më e rëndësishmja, është sfida mes Arsenalit dhe Liverpoolit. Një ndeshje që me të gjitha gjasat do të jetë mes pretendentësh për titull, por që vjen në siparin e Premier League.
Manchester United, tashmë me trajner portugezin Mourinho, apo siç e konsiderojnë tashmë me pseudonimin e ndryshuar “Djalli special” (Special Devil), pritet të debutojë në transfertën e Bournemouth, ndërsa “Qytetarët” e Manchester Cityt, edhe këta me trajner të ri Pep Guardiolën, do të presin Sunderlandin. Për Antonio Conten, ende në krye të pankinës së Italisë deri në fund të Europianit, aventura britanike do të nisë me një derbi londinez: Chelsea-West Ham. Një tjetër sfidë intriguese është edhe ajo mes Evertonit dhe Tottenhamit.
Sa i përket përballjeve të tjera më të rëndësishme të kampionatit anglez, më 10 shtator luhet derbi i shumëpritur mes Mourinhos dhe Guardiolës, apo më saktë mes dy ekipeve të Manchesterit, së pari në “Etihad Stadium” ndërsa takimi i kthimit më 25 shkurt në “Old Trafford”. Portugezi Mourinho do të rikthehet në “Stamford Bridge” të konsideruar si stadiumin e tij për shkak të përkrahjes që gëzon mes tifozëve të Chelseat më 22 tetor, ndërsa sfida e kthimit luhet më 15 prill të 2017-s.
Fillimin më të vështirë do ta ketë Liverpooli i gjermanit Jurgen Klopp. Në 5 javët e para do t’i duhet të përballet me Arsenalin, Burnleyn, Tottenhamin, Leicesterin dhe Chelsean. Por ashtu si nisja, edhe fundi i kampionatit rezervon një superndeshje, atë mes Manchester United dhe Tottenhamit në “White Hart Lane”, më 13 maj të vitit të ardhshëm.
Top Channel