Hyjnorja pushton vigjiljen e 49 viktimave të Orlandos

15/06/2016 00:00

Teksa përballemi me një ngjarje tragjike dhe kaq të vështirë për ta përballuar, si masakra e Orlandos, shumëkush prej nesh mund të kërkojë ngushëllim te hyjnorja. E në të tilla momente gjërat e vogla, ato për të cilat nuk ia vlen të japësh shpjegime të gatshme, marrin një domethënie të madhe.

Kjo është një histori e një momenti të tillë. Ndërkohë që lexoheshin emrat e 49 viktimave të masakrës së klubit të natës “Pulse” gjatë funeralit të tyre në Orlando, një fotografe vuri re diçka të pashpjegueshme duke ngritur sytë lart nga qielli. Një tufë me zogj që fluturonin pikërisht mbi atë vendndodhje.

Ajo shkrepi menjëherë një foto. Por deri këtu nuk përbën asgjë, asnjë lajm. Deri kur nisi të numëronte sesa zogj ishin shfaqur në produktin e aparatit të saj. Atëherë ajo mbeti e shtangur dhe e surprizuar njëkohësisht: ishin plot 49 zogj.

“U befasova dhe menjëherë u thash të tjerëve që ishin rreth meje të ngrinin sytë dhe t’i numëronin, – tha ajo. – Ata të gjithë mbetën pa fjalë”.

Vigjilja me qirinjtë e ndezur në nder të viktimave u mbajt të hënën në Qendrën e Arteve të Bukura “Dr Phillips”. Fotografja tha se, pas çdo emri të lexuar mbizotëronte një heshtje varri, por kishte edhe rënkime të dhimbshme të turmës së pranishme.

Ajo, si shumë të tjerë, ishte duke vajtuar humbjen e dikujt që e njihte, kur papritur vuri re ngjarjen e papritur në qiell. “Teksa shihja zogjtë ndihesha e relaksuar dhe qetësohesha disi pas asaj tragjedie”, tha ajo. Vetëm pak kilometra më larg, në një tjetër ceremoni vigjiljeje të mbajtur në Lakeland të Floridës, 49 pëllumba i lëshuan në fluturim, por zogjtë në foton e shkrepur prej fotografes ishin të zinj.

Se nga vinin ata zogj, kjo ende nuk dihet dhe mbetet mister. Gazetarja nuk preferoi të identifikohej, sepse do të dëshironte që njerëzit të mos fokusoheshin tek ajo, por te njerëzit e mbetur viktima të kësaj tragjedie. “S’ka rëndësi se kush e shkrepi atë foto, por ajo që përban ajo foto. Ndoshta njerëzit do të gjejnë një alibi për qetësi dhe paqe”.

Top Channel