Gruaja e dhunuar nga ish-bashkëshorti, tashmë me shtëpi të re

15/06/2016 00:00

Marsela Çaushaj, gruaja e dhunuar nga ish-bashkshorti pak ditë më parë në Vlorë, tashmë ka një shtëpi të re. Bëhet fjalë për një banesë sociale, e cila do të paguhet nga Bashkia e Vlorës, ku zonja Çaushaj do të jetojë bashkë me tre fëmijët e saj.

I pranishëm në eventin ishte edhe ministri i Çështjeve Sociale Blendi Klosi, si dhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

“Kemi arritur që në fare pak kohë të bëjmë realitet premtimin për të strehuar Marselën në një banesë të re, në mënyrë që ajo të nisë një jetë të re me fëmijët e saj. Gjithashtu, shumë shpejt ajo do të nisë edhe punë në Bashkinë e Vlorës”, tha Klosi.

Nga ana e tij, kryebashkiaku Leli u shpreh se pas një ngjarjeje që nuk duhet të përsëritet më, kemi arritur t’i kthejmë buzëqeshjen fëmijëve të zonjës Çaushaj.

“Marsela, me tre fëmijët e saj sot strehohet në një banesë të re të mundësuar nga Bashkia e Vlorës dhe shumë shpejt ankthi i kaluar prej saj do të marrë fund, edhe për faktin se ajo do të nisë punë, duke filluar një jetë të re për vete dhe fëmijët”, tha Leli.

Top Channel