UEFA, paralajmërim dhe gjobë Rusisë; tifozët dëbohen nga Franca

14/06/2016 13:25

Rusisë i është dhënë një paralajmërim për përjashtim nga Euro 2016 për shkak të trazirave të së shtunës në Marsejë, kundër tifozëve anglezë.

UEFA, organi qeverisës i futbollit europian, e ka ndëshkuar gjithashtu Rusinë me 150 mijë euro gjobë. UEFA ka paralajmëruar se përjashtimi do të hyjë në fuqi nëse incidente të ngjashme me ato të javës së kaluar përsëriten në ndeshjet e tjera të Rusisë.

Ndërkohë, grupe të ndryshme tifozësh ruse po dëbohen nga Franca pas skenave të vazhdueshme të dhunës gjatë turneut Euro 2016.

Policia franceze fajësoi 150 shtetas rusë “të mirëstërvitur” për përleshje, përpara se të luhej ndeshja Angli-Rusi në Marsejë.

Gjashtë tifozë anglezë u burgosën ditën e hënë për rolin e tyre në trazirat dhe UEFA ka kërcënuar se do të skualifikojë të dyja skuadrat nëse ka dhunë të mëtejshme.

Alexander Shprygin, drejtues i Sindikatës Ruse të Tifozëve, bëri të ditur se 29 të tillë po shoqërohen për në aeroportë.

Shprygin deklaroi se ai dhe 28 përfaqësues të tjerë të një grupi tifozësh ishin ndaluar në afërsi të Kanës dhe ishin vendosur në një autobus, edhe pse sipas tij nuk kishin shkelur asnjë ligj në Francë dhe nuk ishin përfshirë në ngjarjet e Marsejës.

Sidoqoftë, kryeministri francez Manuel Vals deklaroi se, “disa tifozë nuk mund të qëndrojnë në territorin kombëtar”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA