Francë, protesta të dhunshme kundër ligjit të punësimit. 15 të arrestuar

14/06/2016 00:00

Disa qindra protestues të maskuar kanë hedhur sende të forta ndaj policisë në Paris, në atë që shënoi demonstratën e fundit kundër ndryshimeve të diskutueshme të ligjit për punësimin në Francë, që u kthye në një protestë të dhunshme.

Përplasjet nisën të martën, ndërkohë që e gjithë vëmendja ndërkombëtare është fokusuar në Francë për shkak të kampionatit europian, që gjithashtu është karakterizuar nga dhuna mes tifozerive rivale.

Grevistët iu afruan kullës Eiffel dhe ndërprenë lidhjet e transportit, ndërkohë që me dhjetëra mijëra tifozë kanë vizituar Francën për shkak të ngjarjes më të madhe sportive në kontinentin e vjetër.

Autoritetet kanë arrestuar 15 persona, ndërsa të paktën 26 njerëz janë plagosur gjatë trazirave të Parisit, pasi demonstruesit hynë në një ndërtesë në ndërtim e sipër dhe nisën të gjuanin me paletat e drunjta ndaj policisë.

Greva është e fundit mes veprimeve të marra nga industria gjatë muajit të fundit, që kanë shkaktuar ndërprerjen e hekurudhave, mungesë të karburanteve apo edhe grumbuj mbeturinash të pambledhura nëpër rrugët e kryeqytetit francez.

Protestat e fundit koinçidojnë me debatin në Senatin francez mbi ndryshimet e propozuara të ligjit të punësimit, që mbështetësit e tyre thonë se synojnë ta bëjnë tregun e punës më fleksibël dhe reduktojnë papunësinë e lartë, por kundërshtarët thonë se janë shumë probiznesit.

Top Channel