
Pas tri ditësh trazirash mes tifozëve dhe policisë në Marsejë, qeveria franceze ka vendosur t’u kërkojë qyteteve pritëse të ndeshjeve të futbollit për “Euro 2016” të ndalojnë përdorimin e alkoolit pranë stadiumeve dhe pranë zonave të grumbullimit të tifozëve.
UEFA, nga ana e saj, ka nisur hetimet dhe procedim disiplinor për Rusinë, tifozët e së cilës u panë qartazi të sulmonin ata të Anglisë në stadiumin “Velodrome”, pas barazimit 1-1 mes dy kombëtareve të së shtunës. Madje organizmi europian i futbollit ka kërcënuar edhe me përjashtimin e të dy ekipeve, nëse do të ketë të tjera ngjarje të dhunshme të tifozëve të tyre.
Qeveria britanike, gjithsesi, është vetofruar të dërgojë numër shtesë të forcave policore, pikërisht përpara ndeshjes së dytë të Anglisë, ditën e enjte në Lens.
Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve deklaroi se “kam kërkuar të merren të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar shitjen, konsumin dhe transportin e pijeve alkoolike në zonat e ndjeshme ditët e ndeshjeve si dhe një ditë para ndeshjeve, por edhe gjatë ditëve kur janë të hapura zonat e tifozëve”. Kufizimi do të prekë gjithashtu edhe ambientet publike, sikurse edhe dyqanet dhe pikave ambulante, shtoi më tej Cazeneuve.
Zyrtarë të lartë lokalë mund të kufizojnë lokalet dhe kafenetë, duke mos i lejuar të shërbejnë pije në ambientet e tyre të hapura apo në veranda, pikërisht me enë që mund të përdoren më pas për gjuajtjen e kundërshtarëve.
“Ngjarjet që ndodhën në Marsejë janë të papranueshme. Të papranueshme për autoritetet, për shoqërinë, por edhe për futbolldashësit”, tha Cazeneuve.
Ndeshja e ardhshme për Rusinë është ndaj Sllovakisë, të mërkurën në Lille, vetëm një ditë përpara sfidës së “3 luanëve” ndaj Uellsit, vetëm pak kilometra më larg në Lens. Ky qytet në fakt e ka ndaluar shitjen e alkoolit, ndërsa tifozët pa bileta për ndeshjet apo për në zonat e fansave të mos udhëtojnë drejt këtij qyteti.
Top Channel